KEK-u e KEDS-i nuk ndihen fajtorë për mungesë të energjisë elektrike, KOSTT-i garanton transmetim gjatë dimrit

08:08 | 2 Dhjetor 2020 | Elona Haxhiu

Korporata Energjetike e Kosovës dhe Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike nuk ndihen fajtore për mungesë të energjisë elektrike.

Derisa njëra thotë se po prodhon përtej planifikimeve, tjetra po shpërndanë rregullisht duke mohuar mungesën e energjisë elektrike.

“Ju them me siguri të plotë që nuk ka mungesë të energjisë elektrike. Ajo është e siguruar. Ne e kemi marre nga prodhuesit sasinë e zotuar. Kemi marrëveshje për import dhe KEDS jo vetëm këto ditë, por qe disa vjet nuk ka aplikuar asnjëherë reduktime”, ka thënë për arbresh.info zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, duke hedhur poshtë pretendimet se nuk po importohet për shkak të çmimit të lartë.

Mungesat në prodhim i ka mohuar edhe Korporata Energjetike e Kosovës.

“Konform planit dhe bilancit energjetik, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) deri më tani ka përmbushur me përpikëri planin e prodhimit të energjisë eklektike si dhe të asaj termike e cila shërben për ngrohjen e qytetarëve të Prishtinës. Madje në kuartalin e III, TC-Kosova A ka arritur të realizojë planin me një mesatare prej 107 %, ndërsa TC-Kosova B me një mesatare prej afër 116%”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut.

Sipas tyre, gjatë këtij nëntë mujori është përmbushur plani i prodhimit të energjisë elektrike dhe të thëngjillit me përpikëri, sipas parapërgatitjeve për sezonin dimëror.

“KEK-u gjatë këtij nëntë mujori ka përmbushur planin e prodhimit të energjisë elektrike dhe të thëngjillit me përpikëri, ka bërë të gjitha parapërgatitjet për sezonin dimëror, ka përfunduar të gjitha projektet e remonteve të planifikuara në njësitë prodhuese, ka siguruar edhe pajisjet nga të ftohtit dhe besojmë që edhe në muajt e dimrit do të vazhdojë kjo gjendje dhe ne do të vazhdojmë prodhojmë me kapacitete të plota”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut.

Për prishtjet që po shkaktojnë se fundi probleme në furnizim me energji elektrike është kritikuar Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, KOSTT.

Sipas këtyre të fundit, problemet e paraqitura me mungesë të energjisë elektrike në një pjesë të Prishtinës janë sanuar brenda tri ditëve.

Përmes këtyre punimeve janë larguar kabllot e dëmtuara, pastrimi i kanaleve si dhe është bërë shtrirja dhe montimin i 12 kabllove të reja për të mundësuar kyçjen e transformatorit që la qytetarët pa energji elektrike.

“Me punimet e realizuara është rikthyer furnizimi me energji elektrike për qytetarët e afektuar si dhe është siguruar furnizim i qëndrueshëm dhe stabil nga Nënstacioni Prishtina 2, gjatë sezonit të dimrit, nga aspekti i transmetimit”, thonë ne KOSTT.

Por, derisa mungesa e energjisë elektrike vazhdon çdo ditë si pasoje e intervenimeve në rrjet, shkaktarët e paidentifikuar vazhdojnë të mos e rehatojnë qytetarin me furnizim të rregullt të energjisë elektrike./ElonaHaxhiu/arbresh.info/

 

 

Lajmet më të lexuara