KDI: Pandemia zbehu transparencën buxhetore të komunave

12:06 | 7 Maj 2021

Sot, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në kuadër të projektit të USAID për komunat transparente, efektive dhe llogaridhënëse, lansoi Indeksin e Transparencës për qeverisjen komunale për vitin 2020.

Rezultatet e Indeksit derivojnë nga matjet e 41 indikatorëve në gjashtë shtylla të qeverisjes: 1) transparenca e komunave në shpenzimet publike të realizuara përmes prokurimit publik, 2) transparenca buxhetore, 3) transparenca në grante dhe subvencione, 4) niveli i përfshirjes së publikut në vendim-marrjen komunale, 5) qasja në dokumente publike dhe 6) përgjegjshmëria e komunave për adresuar rreziqet e korrupsionit dhe konfliktin e interesit.

Diana Metushi-Krasniqi, menaxhere e projektit në KDI, gjatë prezantimit të gjetjeve kryesore të Raportit tha se “në vitin 2020, për shkak të pandemisë COVID-19, Kosova pësoi një rënie të transparencës në qeverisjen lokale prej 1% krahasuar me vitin paraprak. Transparenca e përgjithshme në gjashtë shtyllat e matura në vitin 2020 është 69% krahasuar me 70% në 2019. Ky është një tregues i qartë se përveç sfidave për t’u ballafaquar me një forcë madhore, komunat duhet të përqendrohen në publikimin e më shumë informatave për qytetarët e tyre.

Metushi-Krasniqi shtoi se “publikimi i këtyre dokumenteve në faqet e internetit të komunave është linja e parë e llogaridhënies ndaj qytetarëve të tyre. Për më tepër, kjo dëshmohet edhe nga numri i vizitave në faqet e internetit të komunave. Sipas informacionit të marrë nga Ministria e Pushtetit Lokal, faqet e internetit të komunave në vitin 2020 u vizituan 4,167,112 herë, nga 1,248,850 vizitorë”

Përderisa pikët mesatare të transparencës në prokurimin publik kanë mbetur të njëjta me atë të vitit 2019 (57%), viti 2020 tregoi një ndryshim prej -12% në shtyllën e transparencës buxhetore, nga 73% në 2019 në 61% në 2020.

Një ndryshim prej -3% të transparencës në komuna ishte vërejtur edhe në promovimin e etikës profesionale dhe luftimin e konfliktit të interesit nga 76% në 2019 në 73% në 2020.

Një trend pozitiv ishte vërejtur në shtyllën e informacionit dhe pjesëmarrjes së publikut.

Sipas të dhënave të marra nga 32 komuna, gjatë vitit 2020, këto komuna organizuan 169 dëgjime buxhetore me 16,718 pjesëmarrës.

Një nga kontribuuesit kryesorë në rritjen e pjesëmarrjes së publikut ishte përdorimi i rrjeteve sociale si mjete digjitale të komunikimit me qytetarët. Po ashtu, në krahasim me vitin 2019, edhe pse numri i kërkesave për qasje në dokumente publike ishte ulur (nga 1,039 në 2019 në 843 kërkesa në 2020), indeksi tregon se komunat ishin më të gatshme për t’ju përgjigjur atyre (84% në 2020 krahasuar me 78% në 2019).

Indeksi i transparencës në qeverisjen komunale për vitin 2020 liston komunën e Prishtinës si më transparentja me 100 pikë në indikatorët e matur, përcjell nga komunat e Lipjanit (98.75 pikë), komuna e Gjakovës (94.50 pikë), Komuna e Vushtrrisë (92.88 pikë), komuna e Rahovecit (91.63 pikë) dhe komuna e Junikut (91.38 pikë).

KDI inkurajon të gjitha komunat të rishikojnë mangësitë e tyre në këtë indeks për vitin 2020 dhe të përqendrohen në rritjen e transparencës në të gjitha shtyllat në 2021, pa marrë parasysh sfidat e implikuara nga pandemia./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara