Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) shpreh shqetësimin lidhur me siç kanë thënë ata “qasjen refuzuese të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të dëshmuar në ambientet e Prokurorisë Speciale, në rastin e njohur si “Rezervat Shtetërore””.
KDI thekson se ky veprim sfidon dhe minon parimin themelor të sundimit të ligjit dhe barazisë para ligjit, dy shtylla kyçe të rendit demokratik.
Sipas KDI-së, refuzimi i kryeministrit për t’u përgjigjur një ftese zyrtare të organeve të drejtësisë, sipas procedurës së paraparë ligjore, ushqen përshtypjen e gabuar se parimi i barazisë para ligjit nuk vlen për zyrtarët e lartë, të cilët mund të shmangin rregullat që vlejnë edhe për qytetarët e tjerë.
KDI gjithashtu thekson se insistimi i kryeministrit për të diktuar kushtet e dhënies së dëshmisë – duke këmbëngulur që intervistimi të zhvillohet në zyrën e tij dhe jo në ambientet e Prokurorisë – krijon një precedent të rrezikshëm dhe bie ndesh me dispozitat ligjore në fuqi.
KDI nënvizon se sundimi i ligjit nënkupton që askush, pavarësisht pozitës apo funksionit, nuk gëzon trajtim të veçantë përballë institucioneve të drejtësisë.
“Roli i Kryeministrit nuk është të vërë në pikëpyetje apo të negociojë zbatimin e procedurave ligjore, por të tregojë se askush – as vetë ai – nuk është mbi ligjin. Duke refuzuar të paraqitet në Prokurori sipas kërkesës zyrtare, Kryeministri bie ndesh me pritshmëritë e qytetarëve për llogaridhënie dhe transparencë. Për më tepër tani që procesi zgjedhor, në aspekt të votimit, veçse ka përfunduar, dhënia e dëshmisë nga ana e Kryeministrit nuk prodhon asnjë efekt elektoral kundrejt tij apo subjektit që ai përfaqëson”, thuhet në reagim.
KDI-ja fton Kurtin që të bashkëpunojë me organet e drejtësisë, me ç’rast të paraqitet pa kushte në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e kërkuar.
“Vetëm duke vepruar në këtë mënyrë, ai mund të forcojë besimin e publikut tek institucionet shtetërore dhe të dëshmojë se, në një shtet ligjor të vërtetë, askush nuk është mbi ligjin”, thekson KDI.
45 minuta të zjarrtë në “Etihad”, Donnarumma “fytyrë tragjik...
Kosova hyn në 10 ditët vendimtare për zgjedhjen e presidenti...
Rexhepi: Është e domosdoshme të kemi konsullatë të Shqipëris...
Kristjan Asllani realizon golin e parë me Besiktasin, por sk...
Dinamo merr kryesimin, ngec Vushtrria, afrohet Liria – ashpë...
Kosova kryeson Ballkanin për rritjen e investimeve të huaja ...