Jevtiq: Lista Serbe në prag të copëtimit

09:41 | 3 Maj 2017

Ish-ministrja e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Mirjana Jevtiq, ka deklaruar se në Listën Serbe ekzistojnë dy rryma: SNS-ja e cila mbështet qeverinë e Republikës së Serbisë dhe tjetra “tradhtarët”.

Këto komente Jevtiq i ka bërë në emisionin “Lirshëm serbisht”, të cilin e transmeton RTK-ja.

Ajo si kontribut më të madh të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës ka përmendur votimin e Gjykatës Speciale për Krimet e Luftës së UÇK-së, ndërsa ka shtuar se për marrëveshjet e Brukselit dhe dialogun atje s’di më shumë se qytetarët e rëndomtë.
Kryeministrin aktual të Kosovës Isa Mustafën e ka cilësuar “shumë të kulturuar dhe zotëri korrekt”.

Për zgjedhjen e saj ministre ka sqaruar se shumica e Listës Serbe ishin pajtuar me propozimin e Sllavko Simiqit që ta marrë këtë post, ndërsa asaj vetëm i kanë komunikuar vendimin.

“Sllavko Simiq na tha po ashtu se për këtë ishte marrë vesh me qeverinë e Serbisë dhe me (kryeministrin) Aleksandar Vuçiqin…”, tha ajo.

Ndër të tjera ajo ka sqaruar se krahas rrogës së saj 1200-1300 euro, deputeti i Listës Serbe merr edhe 30 mijë euro në vit për punën në Klubin e Deputetëve, që janë rreth 300 mijë euro në vit për 9 deputetë të Listës Serbe.

Jevtiq ka qenë e ngarkuar për financat e Listës Serbe, ndërsa e pyetur se ku harxhohen ato para ajo ka thënë se përdorimin e tyre e cakton kryetari i Listës, “ndërsa unë paguaja faturat që m’i sillte”.

Mirjana Jevtiq tha se ishte ndodhur e habitur kur një ditë pas zgjedhjes ministresh kishte marrë vesh se ajo që i kishte thënë Sllavko Simiq në fakt nuk ishte e vërtetë, se nuk e kishte mbështetjen e Beogradit.

“Një ditë pas emërimit nisën gjithë ato sulme pasi drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, doli dhe kërkoi prej meje publikisht të mos e pranoj funksionin. Isha shumë e habitur, as më thirrën me telefon, as me e-mail, në çfarëdo mënyre… Bum, e përmes televizionit mua ma përmendin emrin si shkaktare e përçarjes së Listës, si njeri i Mustafës….”, ka sqaruar ajo.

E pyetur se si e sheh tani Listën Serbe, Jevtiq është përgjigjur:

“Është rryma që i përket SNS-së, e cila mbështet qeverinë e Republikës së Serbisë dhe ‘tradhtarët’”.

Ajo ka shtuar se është keq që Lista Serbe është e përçarë, se është në prag të “copëtimit” dhe siç vlerëson ajo të dyja këto rryma janë “të papajtueshme”. Një pjesë të përgjegjësisë, sipas saj, e ka Zyra për Kosovën (në qeverinë e Serbisë), pohon Jevtiq.

“Informatat që i ka Aleksandar Vuçiq për ne, për mua, cilindo qoftë, shkojnë nga Zyra për Kosovën, prandaj një pjesë të përgjegjësisë për gjendjen në Listën Serbe e ka Zyra për Kosovën me Marko Gjuriqin në krye”, thotë ajo.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara