Ismajli i PDK-së ironizon me këshilltarin e Faton Pecit: Guxo për të kapur

17:23 | 25 Janar 2023

Koordinatori i Departamentit për Bujqësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Naim Ismajli, ka ironizuar me dënimin e këshilltarit të ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit, dje me një mijë e 500 euro gjobë për falsifikim të votave në vitin 2017.

Në një postim në Facebook, Ismajli ironizoi me partinë e Pecit, duke shkruar “Guxo për të kapur”, përcjell arbresh.info.

Ai theksoi se Peci për plot dy vjet ka mbajtur si këshilltar politik një person me aktakuzë.

“Guxo për të kapur (Pjesa e II-të)!

Skandalet në Ministrinë e Bujqësisë, që drejtohet nga Faton Peci nuk kanë të ndalur. Këshilltari i tij politik, Enis Osmani është dënuar dje për vjedhje votash në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës në vitin 2017.

Pra, ministri Peci për dy vjet në kabinetin e tij ka mbajtur një person me aktakuzë, tashmë të vërtetuar.”, ka shkruar Ismajli.

Tutje, ai ka përmendur edhe emërimin e vajzës së tezes së presidentes Vjosa Osmani si drejtoreshë të Agjencionit për Zhvillim të Bujqësisë, si shembull të punësimeve partiake e joprofesionale nga ministi Peci.

Gjithashtu ai ka thënë se Qeverinë Kurti e karakterizojnë gënjeshtrat, vjedhjet dhe mashtrimet.

“Pas emërimit të tezakes së presidentes Osmani, Venera Çerkini, drejtoreshë në Agjencionin për Zhvillim të Bujqësisë, skandali me këshilltarin është një tjetër shembull i punësimeve dhe rehatimeve të familjarëve pa integritet moral e profesional nga ky ministër.

Për më tepër, gjetjet e Raportit të Auditorit në këtë ministri evidentojnë një varg shkeljesh me keqpërdorimin dhe keqmenaxhimin e parasë publike.

Ja çka e karakterizon këtë qeverisje: gënjeshtra, mashtrim dhe vjedhje, të cilat çdo ditë po bëhen publike.

Demagogjisë po vie fundi!”, tha Ismajli.

Këshilltari i ministrit Faton Peci, Enis Osmani, dje është dënuar me një mijë e 500 euro gjobë me akuzën për falsifikim të votave në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale