I dënuari me 5 vjet burg në Shqipëri transferohet në Kosovë

17:12 | 9 Qershor 2026
H.E

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot përmes pikës kufitare në Morinë, është realizuar me sukses transferimi i një shtetasi kosovar nga Shqipëria në Kosovë.

Sipas njoftimit, transferimi është kryer nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim me njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.

Bëhet fjalë për një person të dënuar në Shqipëri me pesë vjet burgim për veprën penale “trafikim i armëve dhe municionit”. Pas transferimit në Kosovë, ai i është dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës për vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit, pasi një pjesë të tij e kishte kryer në Shqipëri.

Policia ka bërë të ditur se ky transferim është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi, marrëveshjet dypalëshe dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Në njoftim thuhet se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me synim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin, kapjen dhe arrestimin e personave e grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale