Hisen Berisha e zëvendëson Uran Ismailin në Kuvendin e Kosovës

12:06 | 15 Shtator 2021

Hisen Berisha pritet të zëvendësojë Uran Ismailin në Kuvendin e Kosovës, pas dorëheqjes që Ismaili ka dhënë ditën e sotme.

Ismaili këtë e ka bërë të ditur përmes rrjeteve sociale duke thënë se tani vullneti dhe dëshira e tij janë që t’i përkushtohet tërësisht Prishtinës, si kandidat për kryetar, shkruan portali arbresh.info

“Vendimin e kam marrë që t’i përkushtohem plotësisht qytetit tonë- Prishtinës – dhe do të jap gjithçka që kam për këtë qëllim”, ka thënë Ismaili.

Postimi i tij i plotë:

Sot dhashë dorëheqje nga mandati i deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Dua të falënderoj të gjithë qytetarët që më votuan dhe më dhanë nderin e privilegjin për t’i përfaqësuar në Kuvend!

Ky funksion, megjithatë, besoj se është i papajtueshëm me qëllimin tim për t’u bërë Kryetari i ardhshëm i Prishtinës. Si Kryetar i Prishtinës, detyra ime do të jetë t’u shërbej të gjithë qytetarëve.

Të bashkoj të gjithë qytetarët në rregullimin e problemeve të jetës sonë të përditshme.Të punojmë në mënyrë që ta bëjmë Prishtinën një vend më të mirë për të gjithë.
Dhe kur them për të gjithë, e kam fjalën për të gjithë.

Kuvendi për nga natyra e tij është konfrontues dhe ngjyrat e partive politike dinë të jenë përçarëse.Kjo nuk është e dobishme për qytetin tonë dhe për komunitetin tonë.
Një kryetar i mirë nuk qeverisë në bazë të ngjyrave partiake. Dhe unë e kam ndërmend të jem një kryetar i mirë.

Vendimin e kam marrë që t’i përkushtohem plotësisht qytetit tonë Prishtinës dhe do të jap gjithçka që kam për këtë qëllim.

Edhe kjo që po e bëj sot është se unë po tërhiqem një hap prapa nga politika e përditshme sepse kam besim se me mbështetjen e bashkëqytetarëve të mi të Prishtinës, më 17 tetor, ne do të nisim shndërrimin e Prishtinës në një qytet të pastër, të gjelbër e të sigurt.

Në një qytet digjital modern.

Në një qytet miqësor për qytetarët e tij, si dhe në një destinacion atraktiv për vizitorët e tij.E, në këtë qëllim, Prishtina na bashkon të gjithëve.

Faleminderit!

Kujtojmë se, Hisen Berisha në zgjedhjet e 14 shkurtit mori 9 168 vota. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara