Harrohet “Shtëpia e Përshpirtshme”, cilësohet si “mëkat” i institucioneve

13:14 | 28 Gusht 2021 | Sahide Dedushi

E njohur si “Shtëpia e Përshpirtshme”, në kodrën e  quajtur “Tarabosh”, në qytetin e Shtimes, për vite të tëra ky objekt i ka shërbyerës diturisë, shkruan arbresh.info.

Pas përfundimit të Luftës së dytë Botërore, ky objekt është shfrytëzuar si shkollë e ulët e amvisërisë, ku po ashtu posedonte konviktin, në të cilin banonin dhe ushqeheshin vajzat e kësaj shkolle.

Nga  viti 1952, objekti i ‘Shtëpisë së Përshpirtshme’ është shndërruar në shkollë fillore tetëvjeçare, ku nxënësit e Shtimes dhe të disa fshatrave të rrethinës i kanë vijuar mësimet.

Banush Imeri, dikur nxënës, më pas profesor  i kësaj shkolle, njëherit edhe publicist dhe veteran i arsimit, për arbresh.info, na rrëfen me nostalgji ditët dhe kohën e kaluar në këtë shkollë.

“Unë këtu kam qenë nxënës i kësaj shkolle këtu e kam kry shkollimin nga viti 1950-1958, kam një nostalgji të jashtëzakonshme për këtë shkollë se jo vetëm unë që e kom kry këtu shkollën por gjeneratat e gjenerata kanë përfundua shkollën këtu prej vitit 1953 kur për herë të parë ka fillu të funksionoj si shkollë përndryshe përpara nuk ka qenë shkollë por ishte një shtëpi e përditshme që është ndërtua në vitin 1923, ndërsa më vonë në vitin 1924, ka filluar të ndërtohet shkolla tjetër, e ku për herë të parë nxënsit shtimjan kanë filluar të mësojnë në gjuhen shqipe”, tha Imeri.

Marrja në dorë e ditarit për herë të par për profesor Imerin ndodhi në këtë shkollë.

“Për herë të parë ditarin e kom marr në dorë në këtë shkollë pra për herë të parë jam bërë mësues në këtë shkollë, ku kam dhënë mësim vetëm gjashtë muaj. Unë sa herë vi këtu me sjell nipin tim luan atu afër tek kjo shkollë, jam me të vërtet i zhgënjyer me mënyrën se si po mbahet shkolla thuaj se jemi ne Amerikë, ky është monument në Evropë ruhen pa marr parasysh.”

Profesori Imeri lënien anash të këtij objekti po e quan mëkat.

“Atëherë shkolla ka qenë jashtëzakonisht e mirë edhe është mirëmbajt mirë por me kalimin e kohës masë luftës sidomos u ndërtuan shkollat e reja, por edhe të vjetrat nuk duhet me i lënë anash, pasi që mund të rregullohen me u shndërrua në diçka tjetër në ndonjë arkiv historik gjuhësor, me u ndërtua ndonjë bibliotekë e jo të lihet kështu në këtë gjendje. Pas luftë është rinovua diku tri deri në katër herë, tash edhe pse ka hyrë në planin për trashëgimi kulturore, kjo është në gjendje të mjerueshme”, tha Imeri.

E në oborrin e kësaj shkolle ndodhen disa plepa të cilët janë mbjellur në atë kohë, madje në ballë të shkollës Imeri tha se ka qenë edhe një fontanë e cila me vite është shkatërruar.

“Plepat i kemi mbjell ne dhe e maj mend mirë që kanë qenë me një iniciativë të një profesori, një arsimtar i matematikës nga Ulqini, e me një ide Ulqinake atij i mbiu idea që ta ndërtojmë një fontanë atëherë që ka qenë e vetmja, e cila nuk është më”, tha Imeri.

Profesor Imeri, me sy të pikëlluar kërkoi nga institucionet që kjo shkollë të rindërtohet.

“Kërkesa ime është që kjo të rindërtohet sipas planit dhe rekomandimeve  të entit për trashëgimi kulturore, e kjo neglizhencë që po shihet këtu është për habi e për çudi e për mjerim”

Kujtojmë që në kohën e okupimit klasik nga Serbia, pra nga viti 1990 deri më 12 qershor 1999 qytetarët shqiptarë këtë objekt shkollor kishin mundësi ta shikonin vetëm prej së largu ngase u ishte ndaluar hyrja në këtë zonë./S.D/arbresh.info/

Lajmet më të lexuara