Google ADS

Gërvalla: Aktakuza u ngrit për të hedhur ‘baltë’ mbi institucionet

13:42 | 29 Maj 2023

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz,  ka reaguar për aktakuzën që i është ngritur sot nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për mosdeklarim të pasurisë.

Në një postim në Facebook, Gërvalla-Schwarz ka shkruar se kjo aktakuzë është ngritur në kuadër të përpjekjeve për të ‘hedhur baltë’ dhe për t’i inkriminuar institucioneve të vendit.

“Shpresoj që gjykata, e cila duhet të merret me këtë rast, të gjykojë bazuar mbi faktet objektive e jo interesat e prekura individuale të atyre, të cilët dëshirojnë me shantazhe dhe kërcënime të vijnë në krye të institucioneve të drejtësisë”, ka shkruar Gërvalla.

Ajo ka thënë se fushatat e tilla te ajo nuk ‘pijnë ujë’.

“Qytetari i Republikës së Kosovës na njeh të gjithëve. Edhe neve, edhe ata. Na njeh kaq mirë, sa fushatat e tilla nuk pijnë ujë”, tha ajo.

Ajo ka ripërmendur zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, për të cilat tha se pasi u humben nga ish-qeveritë, nuk ka mjete që nuk po përdoren, sipas saj, për ndaljen e sundimit të ligjit dhe luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.

“Që në fillim të marrjes së detyrës nuk kam pasur iluzione. Të gjithë e kemi ditur që ata, të cilët humbën jo vetëm zgjedhjet, por edhe mundësinë për të zhvatur edhe më tej shtetin dhe paranë publike, nuk do të zgjedhin mjete në betejën e tyre për të ndalur sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Madje në çdo ditë të punës sime kam qenë e ndërgjegjshme që duhet të jemi të përgatitur për rreziqe edhe shumë më të mëdha sesa fushatat denigruese”, shkroi ajo.

Prokuroria Themelore në Prishtinë sot ka ngritur aktakuzë ndaj kryediplomates kosovare për mosdeklarim të pasurisë.

Aktakuza ka të bëjë me vitin 2021./Arbresh.info

Të ngjashme