Ekspertët: Pas përjashtimit të Rusisë nga KiE, Kosova në pozitë favorizuese

13:26 | 24 Janar 2023

Gjasat që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës gjatë këtij viti, janë mjaft të mëdha. Kështu thonë njohës të proceseve të integrimeve evropiane. Sipas tyre, pas përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës, Kosova është në një pozitë favorizuese për anëtarësim, e kjo është edhe në interes të Bashkimit Evropian.

Pas përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës, për shkak të luftës në Ukrainë, Kosova aplikoi për anëtarësim në këtë organizatë vitin e kaluar. Marrë parasysh realitetin e krijuar pas suspendimit të Rusisë, gjasat janë reale që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, gjatë vitit 2023, thotë për Radio Kosovën, profesori universitar, Arben Fetoshi.

“Besoj se kemi të bëjmë me një momentum favorizues për Kosovën, ndonëse Serbia vazhdon me agresionin e saj diplomatik ta kundërshtojë një gjë të tillë. Unë besoj që brenda vitit 2023 do të duhej që Asambleja e Parlamentare e Këshillit të Evropës të miratonte pranimin e Kosovës si anëtarja më e re kësaj organizate të rëndësishme për të drejtat e njeriut në Evropë”, tha ai.

Edhe politologia Arta Tahiri Beqa, beson se gjatë këtij viti Kosova mund të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.

“Në qoftë se bazohemi te kriteret për pranimin e një shteti në Këshillin e Evropës, këto kritere Kosova i plotëson dhe mund të jetë anëtare e kësaj organizate. Gjasat sigurisht se janë të mëdha, sado që opozita dhe individë të caktuar kanë dhënë deklarata këtë vit se kemi marrë një përgjigje negative. Zyrtarisht akoma në faqen zyrtare të Këshillit të Evropës nuk ka të dhëna se është refuzuar kërkesa e Kosovës për anëtarësim”, theksoi Tahiri-Beqa.

Pohimet në medie dhe pretendimet e opozitës se është votuar kundër kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, janë mohuar nga autoritetet kosovare që thonë se janë siguruara votat për anëtarësim.

Ndërkohë, profesor Dritëro Arifi tregon për Radio Kosovën disa nga fazat që duhet kalojë Kosova para se të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

“Aplikimi, tash duhet të kalojë te niveli i Këshillit të Komitetit të Ministrave. Nëse këtu kalon, pastaj aplikimi shkon në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku po ashtu duhet të votohet me 2/3. Unë besoj se Kosova i ka këto vota”, tha Arifi.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë dhe ka 46 anëtarë.