Dogana sekuestron 44 pako cigare pa banderola në vlerë 15 mijë euro në Prishtinë

11:20 | 12 Mars 2026
E.K

Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë sekuestruar 44 pako cigare pa banderola gjatë një kontrolli në garazhin e një shtëpie në Prishtinë.

Kontrolli u realizua pas pranimit të një informate operative dhe me autorizimin e Prokurorit Kujdestar të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Sipas Doganës, cigaret dyshohet se janë kontrabanduar në territorin e Republikës së Kosovës.

Vlera e përgjithshme e mallrave të sekuestruara është rreth 15,000 euro, ndërsa shmangiet nga pagesa e taksave dhe detyrimeve doganore llogariten mbi 30,000 euro.

“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar 44 pako cigare pa banderola, të cilat dyshohet se janë kontrabanduar në territorin e Republikës së Kosovës. Vlera e përgjithshme e këtyre cigareve vlerësohet të jetë rreth 15,000 euro, ndërsa shmangiet nga pagesa e taksave dhe detyrimeve doganore llogariten të jenë mbi 30,000 euro”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.