Deputetja e VV-së: Nëse u dalin pagat mësimdhënësve është padrejtësi për qytetarët tjerë

23:51 | 4 Tetor 2022

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jetmire Vrenezi, ka shkruar në Facebook se ekzekutimi i pagave të shtatorit për mësimdhënësit do të ishte e padrejtë për të gjithë taksapaguesit tjerë në vend, përcjell arbresh.info.

Vrenezi tha se as mësimdhënësit e asnjë kategori tjetër në shoqëri nuk është më e privilegjuar se tjetra.

“Të gjithë qytetarët jane taksapagues pa dallim. Edhe mësimdhënësit. Është e padrejtë ndaj taksapaguesve, qytetarëve të këtij vendi që nga taksat e tyre t’u paguhen pagat e shtatorit mësimdhënësve për punën që s’e kanë bërë. Asnjë kategori e shoqërisë nuk është më e privilegjuar se tjetra.” – shkroi Vrenezi.

Ajo gjithashtu tha se vetëm nëse arsimtarët dhe mësuesit e respektojnë vendimin e MASHT-it për zëvendësimin e orëve të humbura të shtatorit, atëherë duhet t’u jepen pagat e shtatorit në formë avansi në muajin tetor.

“Paga e shtatorit e mësimdhënësve, duhet të realizohet vetëm nëse sindikata pajtohet me vendimin e sotëm të ministres Nagavci. Zëvëndësim për orët e humbura dhe paga e shtatorit do të realizohet si avans. Pa këtë kusht, realizimi i pagës do të jetë padrejtësi ndaj taksapaguesve dhe privilegj i padrejtë  për mësimdhënësit.” – përfundoi deputetja e VV-së./arbresh.info

Postimi i plotë:

Shpërndaje në rrjete sociale