Dënohet me 25 vjet burg tropojani që vrau dhëndrin në Gjakovë

14:11 | 25 Nëntor 2021

Gjakovë – Pas rigjykimit, Col Imeraj është dënuar me 25 vjet burgim pasi ka pranuar se në korrik të 2020-ës e ka vrarë N.M, ka tentuar të vrasë djalin e viktimës dhe i ka shkaktuar lëndim të lehtë trupor kushërirës së tij, D.M.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Drilon Haraçia, i akuzuari Imeraj për vrasje të rëndë është dënuar me 22 vite burgim, për tentim vrasje me 4 vjet burgim, ndërsa për lëndim të lehtë trupor me 6 muaj burgim.

Më pas, ndaj të njëjtit është shqiptuar dënimi unik për të tri veprat me burgim në kohëzgjatje prej 25 vitesh.

Në dënimin me burgim, të akuzuarit Imeraj do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Pala e dëmtuar për kompesimin e dëmit është udhëzuar në kontest të rregullt civil.

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e Col Imerajt, i cili ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Gjakovës me 27 vite burgim unik në maj të këtij viti.

Në aktvendimin të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Apeli ka gjetur se pranimi i fajësisë i bërë nga ana e të akuzuarit Imeraj nuk është bërë vullnetarisht, por është bërë pas këshillimit të pamjaftueshëm me mbrojtësin e tij.

Tutje sipas Apelit, nga procesverbali i seancës fillestare rezulton se i akuzuari Imeraj nuk e ka kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të fajit.

“Nga procesverbali i seancës së shqyrtimit fillestar i datës 16.04.2021, shihet se mbrojtësi i të akuzuarit e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë dhe se i akuzuari i ka përkrahur fjalët e mbrojtësit, e nga kjo rezulton se i akuzuari në pajtim të pikës 1.1 të nenit 248 të KPPRK-së nuk e ka kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të fajësisë. Përkatësisht i akuzuari gjatë deklarimit të tij e ka pranuar fajësinë, ndërsa kur pranimin e fajësisë e ka kundërshtuar mbrojtësi i tij, i akuzuari ka deklaruar se i përkrah fjalët e mbrojtësit të tij, e që kjo paraqet konktradiktë.”, thuhet në arsyetim të aktvendimit.

Gjykata Themelore në Gjakovë, më 21 maj të këtij viti, e kishte dënuar me 27 vite burgim të akuzuarin për vrasje të rëndë, tentim vrasje dhe lëndim të lehtë trupor, Col Imeraj.

Imeraj, nga fshati Geghysen në Tropojë, ishte dënuar nga Themelorja se ka vrarë N.M, ka tentuar të vrasë djalin e tij dhe i ka shkaktuar lëndim të lehtë trupor kushërirës së tij, D.M. E gjithë ngjarja kishte ndodhur në korrik të vitit 2020.

Sipas aktgjykimit që ishte shpallur nga gjykatësi Drilon Haraçia, i akuzuari Imeraj për vrasje të rëndë është dënuar me 23 vite burgim, për tentim vrasje me 4 vite e 6 muaj burgim, ndërsa për lëndim të lehtë trupor me 6 muaj burgim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara