Danimarka në përgatitje të dërgimit të të burgosurve në qelitë me qira që i mori në Kosovë

01:43 | 25 Dhjetor 2021

Danimarka është në përgatitje të dërgimit të të burgosurve që vijnë nga vendet joanëtare të Bashkimit Evropian (BE), në qelitë e burgut që i mori me qira në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Danimarka e cila në botë renditet në pjesën e fundit të listës për sa i përket shkallës së krimit, për të pakësuar stërmbushjen nëpër burgjet, arriti një marrëveshje me Kosovën për 300 qeli për 210 milionë dollarë.

Në kuadër të marrëveshjes, të burgosurit në Danimarkë, planifikohet të dërgohen në Institucionin Korrektues në fshatin Pasjak të Komunës së Gjilanit, rreth 50 kilometra larg nga Prishtina, duke filluar nga viti 2023.

Bëhet e ditur se në mesin e të burgosurve që do të dërgohen në Kosovë nuk do të gjenden të dënuar për krime terroriste ose ata me sëmundje terminale.

Nga ana tjetër, të burgosurit ndaj të cilëve ka një vendim dëbimi në fund të dënimit, pas përfundimit të dënimit të tyre, fillimisht do dërgohen në Danimarkë, më pas do të dërgohen në vendet ku do të dëbohen.

Që të hyjë në fuqi marrëveshja e arritur mes Danimarkës dhe Kosovës, duhet të votohet në Kuvendin e Kosovës dhe duhet të marrë miratimin e 2/3 të gjithsej 120 deputetëve.

Sipas marrëveshjes, parashikohet që 300 qelitë e marra me qira të menaxhohen nga ligji danez dhe në qeli do të ketë gardianë nga të dy vendet.

– Numri i të burgosurve në Danimarkë që nga viti 2015 u rrit 19 për qind

Tërheq vëmendjen se numri i të burgosurve në Danimarkë që nga viti 2015, u rrit nga 3.400 në 4.200 me një rritje prej 19 për qind, ndërsa i gardianëve ra prej 2.500 në 2.000.

Theksohet se rënia e numrit të gardianëve bën që të shtohen problemet e menaxhimit në burgjet në Danimarkë.

Sipas statistikave kombëtare, burgjet aktuale në Danimarkë kanë arritur një kapacitet prej 100 për qind.

– Marrëveshja shkaktoi reagime

Pavarësisht njoftimit të Danimarkës se të burgosurit e dërguar në Kosovë do të trajtohen si në Danimarkë, çështja shkaktoi reagime.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) me seli në Kosovë, e kritikoi marrëveshjen se e “legalizon diskriminimin” ndaj të burgosurve.

KMDLNJ njoftoi se transferimi i të burgosurve në një vend tjetër mund t’i vështirësonte vizitat familjare dhe se nënkupton shkelje e të drejtave të të burgosurve.

Nga Këshilli bënë të ditur se burgu në Kosovë është 50 për qind i mbushur.

– Kosova do të përfitojë 210 milionë euro

Ministria e Drejtësisë e Kosovë, në kuadër të marrëveshjes do të marrë 210 milionë euro nga Ministria e Drejtësisë e Danimarkës. Ministrja Albulena Haxhiu, njoftoi se me 210 milionë euro do të investohen në Shërbimin Korrektues të Kosovës, ndaj të cilit do të ndikojë në ngritjen e cilësisë dhe infrastrukturës së përgjithshme të këtij shërbimi.

Zyrtarët e vendit theksuan se të dënuarit të cilët do të transferohen në Kosovë nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë, si dhe do të përbëhen nga shtetas jo të Danimarkës, që kanë kryer vepra të ndryshme si vjedhje, kontrabandë, falsifikim, por edhe vrasje.

– Nuk është hera e parë që në Evropë merret me qira qeli e burgut

Në të kaluarën edhe mes vendeve tjera ishin arritur marrëveshje për marrjen me qira të qelive të burgut në Evropë.

Belgjika, për shkak të stërmbushjes në burgjet në vitin 2009, arriti marrëveshje me vendin fqinj për marrjen me qira të 500 qelive të burgut nga Holanda.

Në atë kohë, tarifa e qirasë së qelive në Belgjikë nga Holanda ishte 30 milionë euro dhe të burgosurit, të cilët nuk përbënin rrezik sigurie, u dërguan në burgun në Tilburg të Holandës.

Përderisa në Belgjikë, të burgosurit mund të pranonin vizitorë tre herë në javë, në Holandë ata mund të vizitoheshin vetëm një herë në javë. Përveç kësaj, të burgosurit e transferuar në Tilburg duhej të flisnin gjuhën holandeze.

– Edhe Norvegjia u përpoq të dërgojë të burgosur në Holandë

Një vend që dëshironte të marrë me qira qeli nga Holanda, në vitin 2014 ishte Norvegjia.

Ministria e Drejtësisë e Norvegjisë bëri një përpjekje për të marrë me qira 242 qeli burgu nga Holanda për një vit, për shkak të rritjes së numrit të kriminelëve të dënuar dhe atyre që presin në radhë për të hyrë në burg, si dhe rinovimit të burgjeve në vend.

Ndërkohë që njoftua se burgu ku do të qëndrojnë të burgosurit do të administrohet nga Norvegjia dhe stafi do të jetë holandez, 25 të burgosur u transferuan nga Norvegjia në Holandë.

Nga ana tjetër, marrëveshja përfundoi në vitin 2018 pasi Avokati i Popullit norvegjez kritikoi rregulloren si shkelje të detyrimeve për të drejtat e njeriut të qeverisë së Oslos.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara