Mbrojtësit e të pandehurve Sami Mazreku (ish-drejtor i Byrosë së Sigurimeve) dhe Valon Berishës (ish-drejtor i Financave), kanë thënë se masa e paraburgimit ndaj tyre nuk mbështetet në asnjë provë.
Mazrekut, Berishës dhe dy të tjerëve iu caktua sot nga një muaj paraburgim nën dyshimin se kanë kryer disa vepra penale të natyrës ekonomike dhe të falsifikimit. Ata dyshohen se kanë keqpërdorur besimin dhe autorizimet ekonomike. Ndaj Berishës është edhe dyshimi për falsifikim dokumentesh. Mazreku dhe Berisha, sipas kërkesës së Prokurorisë, për periudhën 22 korrik 2022 deri më 9 tetor 2023, kanë bërë qindra transaksione te llogaritë e ndryshme me pretendimin kinse në emër të pagesës së dëmeve. Sipas Prokurorisë, Mazreku e Berisha, kanë keqpërdorur detyrën duke shkaktuar dëme mijëra euroshe në secilin transaksion. Ata dyshohen se kanë miratuar transaksione nga llogaria e BKS-së te llogaritë e personave të tjerë që janë paraqitur kinse si të autorizuar të palës tjetër për kompensim të dëmit material nga aksidentet e trafikut. E këta individë sipas dosjes veçse ishin kompensuar paraprakisht për aksidentet në fjalë. Shuma më e vogël e transaksionit ka qenë 6 mijë e 800 euro, ndërsa transaksioni më i lartë 68 mijë euro.
Për 35 të tjerët e arrestuar në këtë rast u caktua masa e paraqitjes së rregullt në stacion policor dhe masën e ndalimit për t’iu afruar Byrosë së Sigurimeve dhe personave të caktuar, në kohëzgjatje prej një muaji.
KOHA ka siguruar aktvendimin e plotë të Gjykatës Themelore në Prizren. Sipas deklaratave që janë bërë në seancën dëgjimore, avokatët e Mazrekut dhe Berishës kanë kundërshtuar në tërësi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit.
Çka thuhet në pjesën për deklaratën e mbrojtësit të Mazrekut:
Mbrojtësi i të pandehurit Sami Mazreku, av. Jeton Maqedonci ka deklaruar se e kundërshton në tërësi kërkesën për caktimin e paraburgimit sa i përket të mbrojturit të tij Sami sepse konsideron se kjo masë nuk mbështetet në asnjë provë, rrethanë apo arsyetim të elaboruara nga prokurori i shtetit.
Shteti, në parim prokurori i shtetit ndërmerr veprime hetimore për të arritur një rezultat konkret ndërsa në rastin e të mbrojturit të tij së pari ka kryer arrestimin dhe pas arrestimit planifikon të zhvillojë hetime, si rezultat i kësaj konsideron se me këto veprime cenohet edhe siguria juridike si e mbrojturit të tij por edhe nëse vazhdohet me praktika të tilla edhe të qytetarëve të tjerë.
I mbrojturi i tij është profesionist dhe gjatë ushtrimit të profesionit të tij në shoqërinë e sigurimeve të Kosovës që nga viti 2006 e tutje ka ushtruar disa funksione të rëndësishme në këtë fushë, deri kur është emëruar edhe drejtor ekzekutiv në Byronë Kosovare të Sigurimeve, i njëjti është jurist profesionist dhe gëzon një reputacion të shkëlqyeshëm në shoqëri po ashtu edhe në institucionet e tjera, që ka pasur bashkëpunim gjatë zhvillimit të detyrave të tij, po ashtu asnjëherë parë nuk ka pasur asnjë precedent penal që do ta vinte në ndikim apo në mëdyshje parimet e tij të profesionalizmit, në kërkesën e prokurorit të shtetit, tek dyshimi i bazuar shohim disa transaksione në kohën kur i njëjti ka qenë drejtor ekzekutiv mirëpo nga asnjë nga këto transaksione prokurori i shtetit nuk e ka bërë të qartë se kush i ka shkruar këto mjete, duke marrë parasysh se jemi duke folur për vitin 2022 dhe vitin 2023, asnjë nga përfituesit e cekur në kërkesën e prokurorit të shtetit, i mbrojturi i tij nuk e njeh e as nuk ka ndonjë lidhje shoqërore e as familjare me ta, andaj prokurori i shtetit as nuk ka cekur qëllimin e as nuk e ka vërtetuar dashjen për të ditur se janë këto mjete.
Për këto hetime i mbrojturi i tij është njoftuar nga mediumet në Kosovë si ato të shkruara dhe të dëgjuara se ka ndodhur disa ekzekutime të transaksioneve pa dokumente mbështetëse, andaj pa u vërtetuar këto fakte e për të cilat prokurori i shtetit, ka pasur kohë të mjaftueshme dhe kanë qenë lehtësisht të verifikueshme sepse nuk ka të bëjë me dyshime për vjedhje apo grabitje por për transaksione të dokumentuara përmes sistemit të bankave dhe xhirollogarive në të cilat si policia ashtu edhe prokuroria kanë qasje në çdo moment.
Të gjitha transaksionet dhe pagesat janë kompetencë ekskluzive e drejtorit të departamentit të financave dhe administratës, sa i përket kushtit nga neni 163 par.2 nenpar.2.5 konsiderojmë se ky kusht nuk qëndron për faktin se siç elaborua më lart i njëjti ka qenë në dijeni të publikimeve mediatike se për këtë rast po zhvillohen hetime, së pari nga Prokuroria Speciale e cila ka deklaruar se nuk është kompetente dhe kjo lëndë, së dyti nga Prokuroria Themelore në Prishtinë e cila e ka deleguar lëndën për shkak të konfliktit të interesit, kështu që nuk mund të pretendohet se i njëjti mund të arratiset apo të ndikojë tek asnjë dëshmitar sepse nuk ka asnjë motiv të fortë se i njëjti të arratiset sot e nuk është arratisur para një viti, e gjithë jeta dhe veprimtaria e tij është e lidhur me vendin ku jeton dhe me familjen e tij, gruan dhe fëmijët dhe asnjëherë nuk ka asnjë arsye që i njëjti të arratiset apo të shmangë këtë procedurë penale, për këtë i njëjti është i gatshëm që kurdo, që sot ta dorëzojë edhe pasaportën e tij, gjykatës në mënyrë që të dëshmojë këto të dhëna.
Sa i përket kushtit nga neni 163 par.2 nenpar.2.5 pika 2.5.2, i njëjti nuk qëndron për faktin se i mbrojturi i tij ka dhënë deklaratën e tij në polici dhe nuk ka çka të heq as çka të shtoj e as të ndryshojë deklaratën e tij, e njëjta është e duart e sigurta si në prokurori ashtu edhe në gjykatë dhe nuk mund të penalizohet për shkak se siç pretendon prokuroria njihen mes veti dhe kanë shoqëri njëri me tjetrin por nuk di se si kënd, nuk mund të penalizohet me masën e paraburgimit vetëm e vetëm që prokuroria pretendon se do të dëgjojë edhe dëshmitarë të tjerë për të cilët nuk ka informata se kush janë dhe nuk ofron arsye bindëse, andaj propozon që të mbrojturit të tij edhe nëse gjykata e vlerëson, të caktohet një masë e butë për pranin e tij në procedurë, siç janë arresti shtëpiak me dorëzimin e pasaportës, si dhe paraqitja në stacion policor, kjo edhe për faktin se i njëjti ka tre fëmijë të vegjël, njëri nga ta ka nevoja të veçanta dhe duhet trajtim të herë pas herë duke marrë parasysh se bashkëshortja e tij punon, e gjithë kjo për faktin që të mos rrezikohet esencialisht familja por i njëjti sa pak të gjendet pranë fëmijëve të tij dhe të përmbushë çdo herë nevojitet për të qenë i pranishëm për çfarëdo sqarimi nga organet e drejtësisë.
I pandehuri Sami Mazreku në seancën dëgjimore lidhur me paraburgimin, ka deklaruar se në tërësi e mbështet mbrojtjen e tij av. Jeton Maqedonci, për momentin nuk ka tjetër çka të shtojë.
Çka thuhet në pjesën për deklaratën e mbrojtësit të Berishës:
Mbrojtësi i të pandehurit Valon Berisha, av. Taulant Ferizi ka deklaruar se: e kundërshton në tërësi kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit Valon, me që konsideron se nuk janë plotësuar kumulativisht kushtet të cilat rrjedhin nga neni 163 i KPPRK-së, së pari është e qartë se dyshimi i bazuar si kusht i parë nuk është plotësuar pasi që prokuroria asnjë provë nuk ka dëshmuar se z. Berisha ka keqpërdorur kompetencat e tij apo ka falsifikuar dokumentet e caktuara apo ka keqpërdorur besimin edhe me anë të vendimeve apo dokumenteve statutare të dhëna nga e dëmtuara BKS. Prokuroria duke qenë barrën e provës nuk ka prezentuar asnjë provë inkriminuese ndaj të dyshuarit Valon dhe si shihet të gjithë dëshmitë e marra në këtë procedurë janë të ngutura-përshpejtuara me qëllim të përpilimit të kësaj kërkese dhe ngritjes së një presioni mediatik, së dyti nuk plotësohet kushti i rrezikut të ikjes së të dyshuarit Berisha pasi që kjo procedurë penale është zhvilluar gjatë vitit të kaluar dhe i njëjti është dëgjuar në polici me datë 07.08.2025 dhe kjo tregon qartë se ka qenë i njohur për zhvillimin e kësaj procedure dhe në asnjë moment nuk është shmangur drejtësisë për më tepër vepra penale dyshohet se është kryer gjatë vitit 2022-2023 e nga ajo kohë kanë kaluar rreth 3 vite dhe z. Berisha nuk është larguar apo ka tentuar të largohet nga territori i Kosovës. Për më tepër z. Berisha nuk ka asnjë arsye të arratiset pasi është person familjar, ka vendbanim të përhershëm, punon dhe ka lidhje të forta shoqërore.
Sa i përket kushteve tjera ligjore për caktimin e paraburgimit, mbrojtja vlerëson se nuk ekziston rreziku i ndikimit në prova, dëshmitarë apo të pandehur tjerë, pasi që shumica e dëshmitarëve janë dëgjuar dhe provat materiale janë sekuestruar.
Po ashtu, mbrojtja thekson se kërkesa për paraburgim është joproporcionale dhe e panevojshme, duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore të të dyshuarit. Z. Berisha që nga viti 2017 vuan nga sëmundje kardiake për të cilën ekziston dokumentacion mjekësor i dorëzuar gjatë procedurës. Gjithashtu, gjatë vitit 2021 i njëjti ka qenë në koma për një periudhë të caktuar, ndërsa bashkëshortja e tij është dëshmuar gjatë bastisjes duke vuajtur nga astma dhe gjatë ditës së djeshme ka pasur nevojë për asistencë nga zyrtar policor për ta përdorur pompën e saj astmatike, andaj qëndrimi në paraburgim do të ishte jashtëzakonisht i rëndë për të dyshuarin në aspektin shëndetësor, pasi që qasja në kujdes shëndetësor, kuptueshëm është më e mangët.
Për më tepër i dyshuari në fjalë është i cilësuar si ekspert financiar, ka kryer dhe është duke kryer ekspertiza nga kjo lëmi pikërisht pranë Prokurorit të Shtetit në Prizren dhe prokurorit të kësaj lënde P.nr.1533-3/24 dhe pranë kësaj gjykate në lëndën P.nr.319/22, ku i njëjti me datë 08.12.2025 është dëgjuar nga kjo gjykatë me arsyetimin se ekspertiza nuk është kryer me kohë për shkak se është dashur të udhëtojë jashtë vendit për arsye shëndetësore, që dëshmon qartë se përkundër gjendjes shëndetësore ka qenë i mundur që kujdesi shëndetësor të ofrohet në institucione private apo publike dhe i dyshuari është detyruar të kërkojë shërim jashtë vendit dhe është e qartë se ky shërim nuk mund të ofrohet në mënyrë efikase në institucionin korrektues.
Andaj kërkojnë që kërkesa për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit Valon të refuzohet dhe të njëjtit t’i caktohet ndonjë masë alternative më e butë që do t’i shërbente rrjedhës së procedurës dhe kushteve të tij personale.
I pandehuri Valon Berisha në seancën dëgjimore lidhur me paraburgimin, ka deklaruar se: në tërësi e mbështet mbrojtjen e tij av. Taulant Ferizi dhe për momentin nuk ka tjetër çka të shtojë./koha
Rrugët me borë, vështirësi në qarkullim drejt Aeroportit “Ad...
Pas reshjeve rekorde, vjen i ftohti – IHMK paralajmëron zbri...
Presidentja kujton Enver Malokun: Ishte zëri i urtësisë në k...
Kurti kujton Rexhep Malajn dhe Nuhi Berishën në 42-vjetorin ...
Gjimshiti pëson lëndim të rëndë në fitoren e Atalantës
Paralajmërimi i fortë i Iranit: Nëse sulmohemi, do godasim b...