Caktohet paraburgimi për nëntë të dyshuarit për keqpërdorim të pozitës zyrtare

20:25 | 24 Janar 2023

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve për nëntë të dyshuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare në Lipjan.

Sipas një komunikate të kësaj gjykate, me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, nëntë të dyshuarit K.S, XH.M, L.D, V.M, I.J, E.E, RR.O, D.G dhe M.B tashmë janë në paraburgim për një muaj, për shkak të veprave penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrimit në prokurim, përcjell arbresh.info.

Të pandehurit akuzohen me këto vepra për shkak se kishin mashtruar në ndërtimin e stadiumit në fshatin Magure të Lipjanit, në të cilin mashtrim kishin shkaktuar dëm në vlerë prej 300 mijë eurove.

Komunikata e plotë:

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit  kundër të nëntë të pandehurve

Prishtinë 24 janar 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve K.S, XH.M, L.D, V.M, I.J, E.E, RR.O të cilët dyshohen se kanë kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës, ndërsa të pandehurit D.G dhe M.B dyshohet se kanë kryer veprën penale Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim nga neni 415 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës dhe veprën penale Mashtrimi nga neni 333 paragrafi 5 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës.

Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër nëntë të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin.

Të pandehurit K.S, XH.M, L.D, V.M, I.J, E.E, RR.O, D.G dhe M.B dyshohen se në cilësinë e personave zyrtar  duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar kanë keqpërdorë detyrën zyrtare.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Shpërndaje në rrjete sociale