Borrell: Shkëmbimi territorial mes Kosovës e Serbisë nuk është më opsion në tryezën e dialogut

13:26 | 24 Nëntor 2020

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Punë të Jashtme, Josep Borrell, ka folur për çështjen e dialogut mes Kosovës e Serbisë, duke vlerësuar se deri tani procesi është duke funksionuar.

Por sipas tij, në këtë rrugëtim, dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar është i vështirë dhe i ngarkuar me histori, njofton Klan Kosova.

”Emocionet janë të forta dhe mendoj se është e kuptueshme, sepse dialogu është i vështirë, i ngarkuar me histori… Por, do të thosha, deri më tani po shkon mjaft mirë”.

”Dhe, siç thashë, ne duam të jemi ndërmjetës duke ditur që disa gjëra për ne janë të papranueshme si zgjidhje”.

Ai ka pranuar se muaj më parë, në tryezën e dialogut pati ide për shkëmbimin territorial mes Kosovës e Serbisë.

”Disa muaj më parë kishte një propozim për të shkëmbyer territore. Por kjo nuk është më një opsion”, është shprehur ai.

Borrell për Nezavisne, ka përmendur që ka shtete anëtare të Bashkimit Europian të cilat e kundërshtojnë fuqimisht idenë e shkëmbimit territorial.

“Por, në parim, ajo që duam është të jemi një ndërmjetës. Ne po përpiqemi ta përmbushim atë rol”, tha Borrell.

Duke folur për administratën e re në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Borrell tha se Bashkimi Europian pret një partneritet të fortë në të gjitha çështjet dhe jo një konkurs.

“Ne nuk po garojmë me Shtetet e Bashkuara në Ballkan, veçanërisht kur bëhet fjalë për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit”.

“Nëse amerikanët janë atje për të ndihmuar, ne, natyrisht, do ta pranojmë ndihmën, por nuk do të konkurrojmë”, u shpreh Borrell.

Lajmet më të lexuara