“Duhet të hedh poshtë idenë se ne (Bashkimi Evropian) pretendojmë se e duam Ballkanin Perëndimor brenda kornizës sonë”, tha të martën përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Duke folur në një konferencë online, të organizuar nga Këshilli Atlantik, Borrell tha se perspektiva evropiane mbetet motor i reformave në shtetet e rajonit dhe se “nuk është e drejtë të thuhet se BE-ja vetëm flet dhe nuk vepron” kur bëhet fjalë për zgjerimin me Ballkanin Perëndimor, transmeton Arbresh.info.
“Ne jemi duke investuar shumë para për t’i ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor për realizimin e reformave dhe për përmirësimin e ekonomive të tyre dhe të sistemit politik dhe gjyqësor, në mënyrë që të afrohen me sistemin e BE-së”, tha Borrell.
Sipas tij, integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është një proces që zhvillohet hap pas hapi.
“Do t’i nisim negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kemi rinisur negociatat midis Serbisë dhe Kosovës me të dërguarin e posaçëm Mirosllav Lajçak dhe mendoj se e kemi vënë në rrugë atë dialog”, tha Borrell.
Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë duke bërë negociata tash e dhjetë vjet për normalizimin e marrëdhënieve. Negociatat do të duhej të përfundonin me arritjen e një marrëveshjeje detyruese gjithëpërfshirëse.
Lajçak ka thënë më herët se raundi i ri i bisedimeve do të organizohet pas zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë.
Si prioritete në reformat në Ballkanin Perëndimor, Borrell përmendi gjyqësorin e pavarur dhe luftën kundër korrupsionit.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i bëjnë detyrat e shtëpisë, të kryejnë reforma dhe t’i përmbushin standardet, në mënyrë që të pranohen si anëtare”, tha ai.
Sipas tij, mbështetja e BE-së për Ballkanin Perëndimor është dukshëm më e madhe se mbështetja që merr rajoni nga Kina, Rusia dhe Turqia.
“Plani ynë i investimeve ekonomike për Ballkanin Perëndimor arrin në 9 miliardë euro për adresimin e aspekteve shëndetësore dhe ekonomike”, tha Borrell, duke shtuar se BE-ja po përpiqet të ndihmojë me vaksina kundër koronavirusit, porse edhe vetë po përballet me sfida./Arbresh.info/
Komuna e Fushë Kosovës anulon vendimin për shpronësim të pro...
FSK dhe ushtria britanike në trajnim të avancuar në Belize
Dy të vdekur nga një sulm palestinez në Izrael
IKSHPK bën thirrje për vaksinim kundër gripit sezonal
E rëndë: Rryma ia merr jetën një të riu në Malësi të Madhe
Gjermania po përgatit rregulla të rrepta për mediat sociale,...