Bordi i RTK-së tregon arsyet për shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm

22:10 | 19 Janar 2022

Pas shkarkimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Ngadhnjim Kastratit, Bordi i RTK-së ka treguar arsyet që quan deri në këtë vendim.

Ky shkarkim thuhet se vjen si pasojë e shkeljeve të shumta të Ligjit për RTK-në dhe akteve tjera nënligjore të bëra në RTK gjatë mandatit të Kastratit, transmeton arbresh.info

Bëhet e ditur se me nëntë vota për dhe asnjë votë kundër u realizua ky shkarkim.

Njoftimi i plotë:

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës në mbledhjen e datës 19.01.2022, me 9 (nëntë) vota PËR dhe asnjë votë KUNDËR, shkarkoi Drejtorin e Përgjithshëm të RTK-së, z. Ngadhnjim Kastrati.

Vendimi për shkarkim bazohet në shkeljet e shumta të Ligjit për RTK-në dhe akteve tjera nënligjore të bëra në RTK gjatë mandatit të z. Kastrati.

Bordi i RTK-së konstatoi një neglizhencë të Drejtorit të Përgjithshëm ndaj parregullsive, keqpërdorimeve, mospunës, nepotizmit, degradimit, raportimit të vazhdueshëm të anshëm e jo objektiv të transmetuesit publik të Kosovës.

Bazuar në të gjitha këto shkelje, për Bordin e RTK-së ka qenë e pamundur vazhdimi i konsolidimit të reputacionit të RTK-së dhe funksionimit të tij me z.Kastrati si Drejtor i Përgjithshëm.

Për më tepër, në një kohë kur transmetuesi publik numëron gjithsej 765 punonjës të rregullt Z. Kastrati funksionimin e njësive kryesore të RTK-së e ka bazuar tek punonjësit me kontrata për shërbime. Deri me datën 31 dhjetor të vitit 2021, RTK ka pasur 239 persona të angazhuar me kontrata për shërbime. Shumë prej tyre janë angazhuar për punët më esenciale të funksionimit të RTK-së, si: gazetarë, kameramanë, montazhierë, punëtorë të sigurimit, etj. Për më tepër, z. Kastrati e ka konfirmuar përmes kanaleve zyrtare se funksionimi i shumë njësive të RTK-së varet nga personat e angazhuar me këto kontrata.

Z. Kastrati, përgjatë gjithë mandatit të tij ka dështuar të hapë konkurse për të rekrutuar punëtorët e nevojshëm për funksionimin siç duhet të RTK-së. Në mungesë të konkurseve, janë angazhuar persona të cilët nuk i janë nënshtruar vlerësimeve rekrutues. Kontratat për shërbime janë vazhduar pa një vlerësim të performancës së të angazhuarve. Nga ana tjetër, Bordi është i shqetësuar për të drejtat e punës të personave që janë angazhuar me këto kontrata. Bazuar në kontratat e punës, kjo formë e angazhimit nuk parasheh pushimet dhe përfitimet e tjera që i garanton Ligji i Punës për punëtorët. P.sh., ka pasur raste kur pushimi i lehonisë nuk i është njohur grave të punësuara me kontrata për shërbime. Ka të angazhuar me kontrata për shërbime, që përmes emailit i kanë shkruar Bordit të RTK-së, se për shumë vite (përfshirë edhe tri vitet e fundit) nuk kanë marrë asnjëherë pushim javor, mujor apo vjetor. Për më tepër, deri me datë 23 dhjetor 2021 (sipas deklaratave të Drejtorit të Përgjithshëm, nuk ka pasur ndonjë analizë apo vlerësim të saktë për nevojat e punonjësve me kontrata për shërbime. Fillimi për diskutimin e kësaj nevoje ka filluar vetëm pas kërkesës së Bordit aktual të RTK-së.

Drejtori i Përgjithshëm, ka dështuar të sigurojë respektimin e Ligjit për RTK-në dhe Rregulloreve të brendshme të RTK-së. Si pasojë, ka punëtorë që kanë kontrata të rregullta dhe kompensohen rregullisht, ndonëse nuk paraqiten fare në punë. Disa prej tyre këtë e kanë konfirmuar përmes komunikimeve të brendshme, por edhe përmes deklaratave publike.

Për më tepër, disa nga këta punëtorë, të cilët paguhen nga RTK, marrin pjesë në debate të ndryshme, kryesisht politike, në media të tjera vendore, gjë e cila po ashtu është e ndaluar me rregullore të brendshme të RTK-së, por të cilat nuk janë zbatuar. Pjesëmarrja e të punësuarve në aktivitete të tilla me karakter debatues politik, publikimi i deklaratave të njëanshme politike në rrjetet sociale si dhe shpërndarja e përmbajtjes së mediave konkurrente nga personat e punësuar në RTK, dëmtojnë imazhin dhe pavarësinë editoriale të transmetuesit publik, për çfarë Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së nuk ka marrë masat e duhura sipas rregullativës në fuqi.

Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së nuk ka prezantuar Strategjinë Zhvillimore të RTK-së, ndonëse kjo çështje kërkohet nga Ligji për RTK-në dhe nga Statuti i RTK-së. Mungesa e strategjisë për zhvillimin e RTK-së, paraqet problematikë të theksuar për arsye se në mungesë të strategjisë zhvillimore, bëhet projeksion joefektiv dhe joefikas i skemës programore dhe buxhetit për vitin pasues.

Drejtori i Përgjithshëm ka dështuar të sigurojë adresimin dhe zbatimin e gjetjeve të Njësisë së Auditimit të Brendshëm, e cila ka evidentuar shkelje të ndryshme gjatë mandatit të tij, si avancimet e brendshme joligjore, keqmenaxhimi i aktiviteteve të prokurimit, keqmenaxhimi i kontratave të marketingut etj.

Bordi i RTK-së konsideron se lista e gjetjeve, përkatësisht shkeljeve është më e gjatë dhe më e ngarkuar, mirëpo duke pasur parasysh se disa çështje të identifikuara janë subjekt i auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit, Inspektorati i Punës apo institucioneve tjera relevante, nuk përfshihen në këtë vendim për shkak të subjektivitetit deri në vlerësim nga autoritetet kompetente.

Në linkun e mëposhtëm mund të gjeni vendimin e plotë i Bordit të RTK-së për shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së z. Ngadhnjim Kastrati

265.pdf (rtklive.com)

Bordi i RTK-së në të njëjtën mbledhje, emëroi ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, z. Shkumbin Ahmetxhekaj, redaktor shumëvjeçar në RTK./arbresh.info/

Lexo edhe:

Bordi i RTK-së shkarkon nga detyra drejtorin e Përgjithshëm

Lajmet më të lexuara