Bedri Hamza mbanë “peng” Projektligjin për pensionim të Policisë

08:53 | 15 Dhjetor 2017

Projektligji për pensionet e zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe hetuesit e Inspektoratit policor  vazhdon të zvarritet për shkak të implikimeve buxhetore.

Aktualisht është në Ministri të Financave për tu vlerësuar ndikimi buxhetor i tij, shkruan arbresh.info.

Kjo pasi që zyrtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë dhënë kundërshtime sa i përket këtij projektligji  pasi që vlerësojnë që ky projektligj mundëson që zyrtarët policorë të dalin në pensionim të parakohshëm pa asnjë kontribut shtesë, duke i shkaktuar kosto shtesë buxhetit.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë thënë për arbresh.info se projektligji në fjalë është hartuar nga ekipi punues dhe se konsultimet janë kryer. Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie projektligji është dërguar në Ministrinë e Financave.

“Projekt-ligji në fjalë është hartuar nga Ekipi Punues, janë kryer konsultimet paraprake dhe publike sipas Rregullores së Punës së Qeverisë, është dërguar në Ministri të Financave për marrjen e Opinionit për Vlerësimin e Ndikimit Buxhetor dhe në Ministrinë e Integrimeve Evropiane për marrjen e Opinionit Ligjor të Përputhshmërisë me Acquis të BE-së, sipas nenit 31 të Rregullores së Punës së Qeverisë”, kanë thënë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Kurse, nënkryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës Shaban Tasholli , ka deklaruar për arbresh.info se informata e vetme që e kanëështë që Ministria e Punëve të Brendshme këtë projektligj e ka dërguar në Ministrinë e Financave.

“Ende nuk kemi kurrfarë informate se çfarëështë duke ndodhur. Ajo që e dimë është se projektligjin ne e kemi lexu në Ministri të Punëve të Brendshme, kjo e fundit ka mbet për me procesu në Ministrinë e Financave , më tutje nuk kemi asnjë informatë se çka ka ndodhur dhe e gjitha është kjo”, ka thënë ai.

Burim Ramadani, ekspert i sigurisëështë shprehur për arbresh.info se rinimi i policisë është i domosdoshëm me qëllim të rritjes së kapaciteteve vepruese dhe efektshmërisë në kryerjen e detyrave policore. Sipas tij, ky ligj do të kryejë funksion të rëndësishëm.

“Ligji për Pensionimin e Parakohshëm të zyrtarëve policorë kryen funksion të rëndësishëm”, ka thënë ai.

Por, pavarësisht që thotë se ky ligj kryen funksion të rëndësishëm ky i fundit duhet të bëhet në atë mënyrë që të shmang çfarëdo ngarkese buxhetore.

“Sigurisht se qasja e përgjithshme ndaj këtij Ligji të nevojshëm duhet të bazohet në synimin e shmangies së çfarëdo ngarkese buxhetore. Si e tillë, ngarkesa buxhetore duhet të jetë minimale dhe e fokusuar në efekte pozitive”, ka pohuar ai për arbresh.info.

Sipas tij, do të ishte mirë që  ligji në fjalë të vendoste për pensionim të parakohshëm vullnetar e jo obligativ.

“Në bindjen time, më mirë do të ishte që Ligji të vendos për pensionim të parakohshëm vullnetar dhe jo obligativ. Kjo do të zvogëlonte dukshëm ngarkesën buxhetore dhe do të mund të sillte përafërsisht efektin e njëjtë në rinim të Policisë”, ka pohuar Ramadani.

Arbresh.info për këtë çështje ka kërkuar përgjigje edhe në Ministrinë e Financave , por se në këtë të fundit për dy ditë radhazi nuk janë përgjigjur./arbresh.info/

 

Lajmet më të lexuara