Arrestohet një person në Prishtinë, kapet me drogë në vlerë mbi 7 mijë euro

10:52 | 20 Prill 2023

Mbrëmë rreth orës 21:00, njësia nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë gjatë një pune hetimore operative (dy javore) në terren, ka arritur të marrë informatën se një i dyshuar është duke u marrë me shitblerje të substancave narkotike në qytetin e Prishtinës.

Hetuesit policorë kanë ndaluar të dyshuarin B.M.,(mashkull kosovar, viti i lindjes 1996), dhe gjatë kontrollit në trup fillimisht i janë gjetur 3 qese të vogla të dyshuar si substancë narkotike të llojit kokainë me peshë 1.5 gramë.

Njësia e Forenzikës Regjionale në Prishtinë, pas disa kontrolleve në banesën e tij, si prova materiale kanë gjetur dhe konfiskuar:

“27 qese të vogla të dyshuar si substancë narkotike e llojit kokainë me peshë 13 gramë, 3 qese të dyshuar si substancë narkotike e llojit kokainë me peshë 62.9 gramë, Një peshore digjitale e cila ka shërbyer për matjen e narkotikeve në sasi të vogla, Një qese e dyshuar si substancë narkotike e llojit kokainë me peshë 0.2 gramë, e gjetur në veturën e të dyshuarit, Dy telefona celularë, Para të gatshme me vlerë prej 1545 eurosh”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Sasia e substancave narkotike e konfiskuar është 77.6 gramë e që në vlerë parash konsiderohet të jetë 7760 euro”, njofton policia.

I dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit kujdestar është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme