Arrestohen dy persona në Zveçan, kapen në flagrancë duke kryer vjedhje

15:02 | 10 Maj 2025
E.K

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në flagrancë për vjedhje në një depo (pijesh) në fshatin Grabovc të Zveçanit.

Sipas njoftimit, ata u kapën pas një informacioni të dhënë nga një qytetar që kishte vërejtur përmes kamerave të sigurisë vjedhjen e dyshuar.

Policia ka reaguar menjëherë dhe ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka gjetur një dritare të hapur me forcë dhe disa paketime me qumësht të hedhura jashtë.

Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Njoftimi i plotë:

Më datë 10.05.2025, rreth orës 04:00, Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri ka pranuar një informacion nga një qytetar, i cili kishte vërejtur përmes kamerave të sigurisë se në nje depo (pijesh) në fshatin Grabovc ishin parë disa persona të dyshimtë duke kryer vjedhje. Njësitë policore janë përgjigjur menjëherë thirrjes dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Gjatë ekzaminimit është konstatuar se një dritare e objektit ishte hapur me forcë. ndërsa jashtë, përmes dritares së hapur, ishin hedhur disa paketime me qumësht.

Në vendin e ngjarjes janë vërejtur edhe gjurmë gjaku, që dyshohet se kanë mbetur gjatë veprimeve të personave të përfshirë në rast. Pas aktivizimit të sistemit të alarmit, dyshohet se ata janë detyruar të largohen nga objekti në mënyrë të shpejtë.

Njësitë patrulluese kanë ndjekur gjurmët që dilnin nga vendi i ngjarjes, përfshirë edhe gjurmët e gjakut, të cilat i kanë çuar deri te një shtëpi e pabanuar.

Aty janë hasur dy persona të dyshuar: një femër me inicialet S.M. (39 vjeçe) dhe një mashkull me inicialet E.H. (43 vjeç), të cilët dyshohet se janë autorët e këtij rasti.

Në afërsi të vendit të ngjarjes është gjetur një automjet i dyshimtë, i cili pas verifikimeve rezultoi të jetë në pronësi të personit të dyshuar E.H.

Të dyshuarit janë intervistuar, ndërsa të gjitha veprimet policore janë paraqitur te Prokurori i Shtetit, me vendim të të cilit personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për sjelljen e personave para organeve të drejtësisë dhe garantimin e sigurisë publike. Ftojmë qytetarët të vazhdojnë të raportojnë çdo rast të dyshimtë në linjen zyrtare të Policisë 192. Çdo informacion është i rëndësishëm dhe do të trajtohet me konfidencialitet.
Bashkëpunimi i qytetarëve është i domosdoshëm për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në komunitet./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale