Arben Vitia uron vitin e ri: Shumëçka ka ndërruar në jetët tona, 2020 na vuri në provë

16:56 | 31 Dhjetor 2020

Ish’ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka uruar vitin 2021, teksa ka thënë se në vitin 2020 pati shumë ndodhi e shumëçka ndërroi në jetët tona.

Vitia tha se mijëra mjekë shqiptarë e kudo në botë u ballafaquan me beteja mbinjerëzore por dija dhe vullneti, shkenca dhe etika njerëzore ngadhënjyen mbi pandeminë e këtij shekulli, shkruan Arbresh.info.

Kuy është urimi i plotë:

Tre qind e gjashtëdhjetë e pesë ditë të 2020 patën më shumë ndodhi sesa mijëra ditë të viteve të tjera.

Shumë nga të dashurit tanë u ndanë nga ne. Plot të tjerë kaluan nëpër vështirësi të jashtëzakonshme.

Mijëra mjekë shqiptarë e kudo në botë u ballafaquan me beteja mbinjerëzore. Por dija dhe vullneti, shkenca dhe etika njerëzore ngadhënjyen mbi pandeminë e këtij shekulli.

Shumëçka ka ndërruar në jetët tona. Muajt e parë të 2020 na vunë në provë aftësinë tonë për solidaritet dhe durim. Më shumë se kurrë vumë re se nuk ka diçka më sublime se krahu i mikut që të mban teksa rrëzohesh, se përpjekja kolektive për secilin e për të gjithë, se vullnetarët që ndihmojnë.

Sot në këtë ditë që e mbyll 2020-tën, reflektojmë e urojmë më të dashurit tanë për një fillim të ri e të mbarë ashtu siç premtojmë që ditët e ardhshme do t’i mbushim plot punë e përpjekje së pari për ata që kanë më së shumti nevojë e për ata që sytë i kanë nga ne plot shpresë e kurajo.

Qoftë Viti i ri 2021 ngjarja që na jep shpejtësinë e aspiratave tona dhe ngjyrat e shpresave tona.

Urime të gjithë shqiptarëve kudo që ata janë sonte!

Urime të gjitha grave, vajzave, nënave e motrave, që më së shumti u sfiduan këtë vit të vështirë!

Urime nxënësve dhe studentëve, e paçin një vit të ri në klasa e auditore pa pengesa!

Urime punonjësve të shëndetësisë, e bardha e tyre ndriçoftë përpjekjet tona!

Urime shumë të dashur miq Vitin e ri 2021, me përqafimin e munguar të këtij viti që po lëmë pas!

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara