Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit thotë se në përputhje me mandatin e saj ligjor, nuk mund të konfirmojë apo të mohojë ekzistencën apo mungesën e ndonjë procedure konkrete, qoftë ajo e iniciuar në bazë të raportimit, shortit ligjor apo ex officio, përfshirë edhe çështje që mund të lidhen me persona të caktuar publikë të nivelit të lartë.
Kjo është njëra nga pjesët e përgjigjes që Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit i ka kthyer RTK-së, në pyetjen nëse kanë nisur verifikimin e pasurisë së presidentes së shtetit Vjosa Osmani, për çka u raportua në media.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit tutje thotë se trajton çdo raportim apo informacion të pranuar me seriozitet të plotë, në mënyrë profesionale, të pavarur dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, duke respektuar standardet më të larta të integritetit institucional.
“Njëkohësisht, ju njoftojmë se procedurat e APK-së janë të natyrës konfidenciale gjatë fazave të trajtimit dhe verifikimit dhe, si të tilla, nuk mund të jenë objekt i komentimit publik apo i konfirmimit përmes komunikimeve me media. Agjencia zyrtarisht komunikon vetëm përmes kanaleve të saj zyrtare dhe vetëm në rastet kur ligji e lejon një gjë të tillë”, thuhet në përgjigjen e kësaj agjencie.
Presidenca e Kosovës më herët për RTKlive tha se nuk kanë informacione se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka nisur verifikimin e pasurisë së presidentes së shtetit, Vjosa Osmani.
Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina ka thënë se informacione të tilla nuk kanë, porse thotë se presidentja mirëpret çfarëdo verifikimi nga cilido institucion që është i bazuar në pavarësi, paanshmëri, integritet e fakte. Kupina këtë e ka quajtur fushatë njollosjeje, që sipas tij mirëfilli dihen pse po ndodhin në këtë fazë.
“Ne nuk kemi informacione të tilla, por Presidentja Osmani mirëpret çfarëdo verifikimi nga cilido institucion, që është i bazuar në pavarësi, paanshmëri, integritet, ligj dhe fakte të vërteta, por jo në fushata njollosjesh, të cilat dihet mirëfilli pse po ndodhin në këtë fazë”, ka thënë Kupina.
Vlora përfshihet nga një stuhi e fuqishme shiu, rrebesh në a...
Aksioni kundër emigrantëve kthehet në tragjedi në SHBA, ofic...
Bora fiton çerekfinalen e parë ndaj Rahovecit 029
Paralajmërimi i Institutit Hidrometeorologjik: Ulje e temper...
Aksidentohet rëndë familja pesë anëtarësh nga Rahoveci, po k...
Osmani dhe kryetari i Malishevës inspektojnë digën e Mirushë...