Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë: Dialogu Kosovë-Serbi këtë vit do të ketë hapa më konkret, presioni ndërkombëtar i madh

10:01 | 14 Maj 2022 | Shkruan: Fjolla Bajraktari

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi ka thënë për arbresh.info se iniciativa “Open Ballkan”, duhet të përkrahet dhe vendet tona duhet të jenë pjesëmarrëse, që të arrijmë qëllimin final.

“Të gjitha vendet e Ballkanit duhet të bashkëpunojnë njëri me tjetrin, nisma të ndryshme rajonale duhet të përkrahen, duhet të jenë vendet tona pjesëmarrëse atje, e rëndësishme është që ne duhet të arrijmë qëllimin final që jashtë vendet e Ballkanit të bashkëpunojnë pavarësisht emërtimeve që mund të kenë”, tha ai.

Minxhozi thotë se, dialogu Kosovë-Serbi se kur do të fillojë është vetëm në dorën e udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, por, sipas tij, edhe presioni ndërkombëtar është shumë i madh në këtë drejtim dhe këtë vit do të ketë hapa më konkret në zhvillimin e këtij dialogu.

“Kjo është vetëm në dorën e udhëheqësve të Kosovës dhe të Serbisë se kur do të fillojë ky dialog, por dihet që edhe presioni ndërkombëtar është shumë i madh këtë drejtim, dhe unë mendoj që këtë vit do të kemi hapa më konkret për zhvillimin e këtij dialogu”, tha ambasadori i Shqipërisë në Kosovë.

Sipas ambasadorit, Shqipëria mbështet të gjitha hapat që i ka bërë Kosova dhe sipas tij, ka arrit t’i realizojë detyrat e saj dhe se është në anën e Bashkimit Evropian të veprojë në drejtim të liberalizimit të vizave.

“Shqipëria mbështet të gjitha hapat që i ka bërë Kosova duke përafruar me ritmet dhe kërkesat e Bashkimit Evropian, unë mendoj që Kosova i ka realizuar detyrat e saj tash topi është në anën tjetër të Bashkimi Evropian që pa humbur kohë t’i liberalizojë vizat e Kosovës, vend i cili është i vetmi në rajon dhe më gjerë që nuk e ka këtë të drejtë legjitime që e kanë gëzuar edhe vendet e tjera”, tha Minxhozi.

Tutje, ai ka folur edhe për marrëveshjet e nënshkruara në Elbasan mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas tij ka një risi shumë pozitive këtë vit sa i përket marrëveshjeve në Elbasan sepse kanë gjet një zbatim më të plotë dhe unë besoj që shumë shpejt do të ketë një bilanc të tyre, po besoj që jemi në rrugën e duhur. /Fjolla Bajraktari/arbresh.info/

Lajmet më të lexuara