Aeroporti “Adem Jashari” është i pasigurt, Limak po fsheh mashtrimet

17:38 | 11 Korrik 2018

Presidenti Hashim Thaçi ishte në mesin e disa prej liderëve të Ballkanit dhe botës në ceremoninë zyrtare të mikut të tij Rexhep Taip Erdogan, i cili fitoi zgjedhjet për president në Turqi.

Derisa ka pasur shumë zëra për mënyrën e privatizimit të operatorit të sistemit të energjisë në vend KEDS, ku kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt familjarë të presidentit turk, ka kaluar pa u vërejtur një kontratë tjetër diskutabile, ajo e Aeroportit të Prishtinës.

Edhe pse autoritetet politike në vend janë përpjekur ta ambalazhojnë si një kontratë perfekte, tani pas gati tetë vjetësh po del se kemi të bëjmë me një proces me shumë të meta, me një kompani koncesionare të papërgjegjshme.

Gazeta Alo ka arritur të sigurojë dokumente dhe prova që flasin në radhë të parë për mungesën e sigurisë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Kompania koncesionare turko-franceze “Limak&Aeroport du Lion” deri tani ka investuar vetëm në pjesën e terminalit, por jo edhe në segmente të rëndësishme që kanë të bëjnë me sigurinë e udhëtarëve.

Në vitin 2011, kur Aeroporti ra në duar të privatëve u mendua se këto investime do ta modernizojnë edhe më tej aeroportin e vetëm në vendin tonë dhe do ta bëjnë atë më kompetitivë me atë të vendeve të rajonit dhe më gjerë. Por, përtej luksit, po del se ka shumë vrima pasigurie.

Konzorciumi i udhëhequr nga kompania turke e futi në dorë Aeroportin e Prishtinës në vitin 2011 për 20 vjetët e ardhshëm. Edhe pse ishte trumbetuar si një kontratë e suksesshme, tash që kanë kaluar kaq vjet, pritjet nga kjo kontratë po dalin të jenë të gabuara. Ishte paraparë që buxheti i Kosovës të përfitonte 400 milionë euro për periudhën 20 vjeçare, por deri tash turqit me marifetet e tyre kanë arritur të shmangin detyrimet ndaj shtetit të Kosovës dhe deri tash janë derdhur vetëm disa dhjetëra milionë euro.

Por, ajo që është më shqetësuese është mungesa e sigurisë në Aeroportin e Prishtinës. Turqit po fshehin faktet rreth sigurisë, dhe po ambalazhojnë “mallin” e tyre për t’i qitur hi syve institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës. Por, faktet janë kokëforta dhe ato tregojnë se siguria në Aeroportin “Adem Jashari” ka shumë rrjedhje.

Investimi i vetëm deri tash në Aeroportin e Prishtinës është ai i terminalit të ri dhe parkingut të veturave, por nuk janë bërë investime të tjera të rëndësishme si zgjerimi i pistës, investimi në zonën e zjarrfikësve, kullës së kontrollit apo hallka të tjera që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë e ngritjes së zbritjes së aeroplanëve.

Terminali i ri ka hapësirë prej 45 mijë metra katrorë, ka tri ura, kullë kontrolli dhe parking me kapacitet për 1750 vetura. I Tërë ky projekt ka kushtuar 130 milionë euro, i ndërtuar nga konzorciumi Limak dhe Aeroport du Lion.

Prej kur është lëshuar terminali deri tash janë ndalë punët, pra është kryer angazhimi i Limakut dhe kanë mbetur shumë punë pa kryer. Më specifike janë ato, që nuk janë fshehtësi, që mund të shihen nga secili njeri, pra mungon zgjerimi i rrugëve ku manovron aeroplani pas aterimit.

Ato me kontratë të koncesionimit kërkohet të zgjerohen por nuk janë zgjeruar. Kjo është diçka shumë e thjeshtë, ashtu siq është e rëndësishme pista, është e rëndësishme edhe zgjerimi i pjesës tjetër taksi-way. Ky është investim milionësh që duhet bërë. Tjetër është qendra e trajnimeve për zjarrfikës që me kontratë parashihet edhe një maketë e aeroplanit që zjarrfikësit të ushtrojnë.

(Kontrata fq 153) Kjo nuk ekziston dhe zjarrfikësit janë në ndërtesën e vjetër që kanë qenë para koncesionimit. Me kontratë po ashtu parashihet edhe pika dhe atyre fluideve që përdoren për shkrirje të aeroplanit kundër ngricave gjatë dimrit për ç’shkak, një është e ndërtuar dhe tjetra mungon. Kjo bëhet tani me një kamion, por ai fluid duhet trajtuar, sepse është i rrezikshëm për ambientin dhe për këtë shkak është kërkuar me kontratë të jenë dy pika të trajtimit, një është ndërtuar tjetri nuk është komplet i ndërtuar (Kontrata fq 152).

Për këto dhe parregullsi të shumta kanë ngritur zërin disa prej zyrtarëve të Agjencisë Shtetërore për Navigim Ajror (ASHNA) që përcjell punën e Aeroportit, por kjo u ka kushtuar këtyre zyrtarëve me vende pune. Ata janë Bujar Ejupi dhe Erzen Shilegu, të dy ish-zëvendësdrejtorë të ASHNA-s. Për disa nga këto shqetësime, Prokuroria ka nisur hetimet. /Gazeta Alo.com

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara