A do ta pranonte Arben Vitia pozitën e drejtorit të Shëndetësisë?

09:46 | 12 Janar 2022

Asamblisti i Vetëvendosjes në Prishtinë, Rashit Gashi, ka thënë se nuk kanë marrë ndonjë ofertë konkrete nga kryetari i komunës, Përparim Rama, ndërkaq shtoi se Arben Vitia nuk do të jetë pjesë e Drejtorisë së Shëndetësisë, pasi sipas tij, ai është një stad tjetër.

Gashi shtoi po ashtu se do të ishte e pakuptimtë që Vitia të bëhej pjesë e rivalit të tij.

“Asnjë ofertë konkrete në adresë të Vetëvendosjes nga zoti Rama nuk ka ardhur, ka pasur disa tendenca të dërgojë mesazhe individuale si zotit Arben Vitia, por jo… Jo nuk mendoj se do të bëhet pjesë, sepse ne ishim rivalë në zgjedhje, Arben Vitia është një stad tjetër, ishte ministër i Shëndetësisë, ma herët ka dhënë kontributin e tij në komunë, por tash të bëhet pjesë e një rivali nuk ka kuptim”, ka thënë Gashi për “Sytë 7”.

Ndërkaq shtoi se në asnjë mënyrë nuk do të menaxhojnë ndonjë drejtori në këtë komunë.

“Është fakt që jemi në një situatë jo të mirë, nga zgjedhjet e kaluara edhe dy ditë bëhen dy muaj prej që kanë kaluar zgjedhjet e 14 nëntorit dhe prej atëherë komuna është në njëfarë forme pa zot shtëpie edhe pse organet e Komunës së Prishtinës janë konstituuar me kryetarin në këtë rast më 7 dhjetor dhe prej asaj kohe ne si ekzekutiv kemi mbajtur vetëm dy seanca, njëra ishte inauguruese dhe tjetra për zgjedhjen e kryesuesit të kuvendit dhe kjo është një handikap jashtëzakonisht i madh për komunën dhe qytetarët e saj”, ka vazhduar Gashi.

Sipas tij, situatën e vështirëson akoma më shumë koalicioni me partitë e tjera, pasi, sipas tij, ata më patjetër do të kërkojnë hise në komunë.

E për Vetëvendosjen, ai tha se as nuk ka tentuar të bashkëpunojë me partitë e tjera, pavarësisht që ka pasur oferta.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara