MPDJ: Nga aksidenti në Serbi 16 udhëtarë u lënduan, morën trajtim mjekësor dhe vazhduan rrugën

11:25 | 12 Janar 2022

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, ka njoftuar se qytetarët e aksidentuar në mbrëmjen e së martës në Krushevc të Serbisë, të cilët po udhëtonin tranzit me autobusë drejt Sllovenisë, kanë vazhduar udhëtimin e tyre pas marrjes së trajtimit mjekësor.

Sipas njoftimit, nga ky grup, një udhëtare nuk e ka vazhduar udhëtimin me vetëdëshirë dhe është në pritje të transportit privat.

Tutje, thuhet se nga vizitat dhe bashkëbisedimi me të lënduar, në autobus me rastin e aksidentit kanë qenë 78 udhëtarë dhe prej tyre 16 kanë pranuar trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), njofton opinion publik se qytetarët e aksidentuar në mbrëmjen e së martës në Krushevc të Serbisë, të cilët po udhëtonin tranzit me autobusë drejt Sllovenisë, kanë vazhduar udhëtimin e tyre pas marrjes së trajtimit mjekësor me përjashtim të një udhëtareje, e cila me vetëdëshirë është në pritje të transportit privat.
MPJD-ja me të pranuar informacionin, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd ka komunikuar me autoritetet për ngjarjen dhe për të lënduarit dhe zyrtarët nga Zyra jonë Ndërlidhëse kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Në funksion të ofrimit të asistencës dhe përkujdesjes institucionale, zyrtarët tanë i kanë vizituar të lënduarit edhe në Qendrën Spitalore.
Nga komunikimi me Qendrën Spitalore ku ishte ofruar ndihma e parë, si dhe nga vizitat dhe bashkëbisedimi me të lënduar, në autobus me rastin e aksidentit kanë qenë 78 udhëtarë dhe prej tyre 16 kanë pranuar trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve.
MPJD-ja falënderon autoritetet në vendin e ngjarjes për asistencën dhe trajtimin mjekësorë të të lënduarve./arbresh.info/

 

 

Lajmet më të lexuara