Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në raportin për vitin 2022 për Kosovën përmendet që ligji parasheh ndëshkime penale për zyrtarët e përfshirë në korrupsion, por që Qeveria nuk e ka zbatuar ligjin në tërësi.
Lidhur me këtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha thotë se ky raport e nxjerr Kosovën shumë më mirë se vitet e kaluara. Ai e pranon se ende ka korrupsion, mirëpo thotë se është duke u punuar në largimin e tij nga institucionet.
“Raporti i Departamentit të Shtetit Amerikan është shumë më i mirë se sa i viteve të kaluara. Megjithatë jemi të vetëdijshëm që ka ende korrupsion në Kosovë. Nuk po themi se është zhdukur korrupsioni, por gjithsesi aty është e qartë dhe nuk përmendet se ka korrupsion në nivelin e lartë qeveritarë, por jemi të vetëdijshëm që korrupsioni vazhdon në nivele të tjera të institucioneve të Kosovës, pa përjashtuar edhe komunat”, thotë Batusha për “Arbresh.info”.
Ai fajëson organet e hetuesisë dhe drejtësisë që sipas tij, nuk po bëjnë sa duhet në reagimin e fenomeneve të tilla, siç është korrupsioni.
“Ajo çfarë duhet theksuar është se ka pasur progres, ka pasur disa hapa që janë ndërmarr, por jemi larg asaj ku dëshirojmë të jemi dhe këtu një rol të rëndësishëm kanë organet e rendit, pra, hetuesia, prokuroria dhe gjykatat, të cilat janë shumë të vobekta në aspektin e reagimit të këtyre fenomeneve të cilat po dëmtojnë edhe imazhin e Kosovës”, shprehet ai.
Gjithsesi, në aspektin ndërkombëtar, ai thotë se Kosova nuk mund të ndikohet shumë, sa i përket këtij raporti.
“Mund të ndikojë në ndonjë marrëdhënie tregtare, sepse raporte të tilla ka pasur edhe më herët, por gjithsesi është shumë më i mirë se i viteve të kaluara dhe presim që në të ardhmen të përmirësohemi”, përfundon ai.
Ndryshe, në raportin për vitin 2022 për Kosovën, thuhet se ani pse ligji parasheh ndëshkime penale për zyrtarët e përfshirë në korrupsion, por që Qeveria nuk e ka zbatuar ligjin në tërësi.
“Kanë qenë disa raste të raportimit të korrupsionit në nivel qeveritar. Zyrtarët ndonjëherë janë përfshirë në praktika korruptive, pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe brishtësia për zbatim të ligjit ka rezultuar me këtë problem”, është thënë në raport./Arbresh.info/
Dua Lipa kritikon ministrat britanikë për atë që thanë rreth...
Mediat gjermane me analizë, tregojnë kush përfiton nga trazi...
Pamje mahnitëse, Rama poston videon nga Kukësi
Ngec legalizimi i kanabisit në Europë, Gjermania e nervozuar...
UEFA pritet ta dënoj Mourinhon
47-vjeçari nga Kosova vdes në një aksident në Zvicër