Kurti i shpreh ngushëllime familjes Zymberi

19:29 | 8 Dhjetor 2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një letre me shkrim e ka ngushëlluar familjen Zymberi për vdekjen e Muharrem Zymberit, babait të heroit Enver Zymberi.

Kurti tregon se në vitin 1999 është takuar me të ndjerin në Burgun e Pozharevcit, ku kishin qëndruar për një vit bashkë, për të vazhduar takimet e tyre më pastaj edhe në vitet në vijim, transmeton arbresh.info

“Me Bacën Rremë jam takuar në vitin 1999, në Burgun e Pozharevcit, ku kemi qenë për një vit bashkë. Jemi takuar shumë herë në vitet pasuese”, ka shkruar Kurti.

Ngushëllimi i plotë i Kurtit:

“Me Bacën Rremë jam takuar në vitin 1999, në Burgun e Pozharevcit, ku kemi qenë për një vit bashkë. Jemi takuar shumë herë në vitet pasuese.

Më 29 maj 2021, Baca Rremë bashkë me vajzën Shyhrete Zymberi-Brahimi dhe djalin Çlirimin, i cili i shërben vendit si pjesëtar i Policisë së Kosovës, më patën vizituar në zyrë.

Sivjet u patëm takuar edhe në Dubovc të Vushtrrisë, më 26 korrik, në 10 vjetorin e rënies së Enver Zymberit, i cili dha jetën në krye të detyrës si pjesëtar i forcave speciale të Policisë së Kosovës.

Pas homazheve dhe vendosjes së luleve të freskëta te varri i Enverit, pata vizituar edhe familjen Zymberi.

Baca Rremë jetoi me ndjenjën e lartë të patriotizmit, me të cilin i ushqeu e rriti edhe pasardhësit e tij, që me nder kontribuan e vazhdojnë të kontribuojnë për Republikën e Kosovës.

Jeta dhe veprimtaria e tij, ishte dhe do të mbetet frymëzim për të gjithë ata që lartësojnë vlerat e kombit dhe i mishërojnë ato në punë e angazhim për atdheun.

Ai ishte shembulli i njeriut atdhedashës, trim e i qëndrueshëm, punëtor dhe dashamirës, me përkushtim të pakursyer për Kosovën. Të tillë do ta kujtojmë përherë”./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara