Kjo është përbërja dhe funksioni i Ekipit Menaxhues për formimin e Asociacionit

11:18 | 28 Prill 2018

Pasi Lista Serbe u largua nga Qeveria Haradinaj, u zotuan se deri më 20 prill do ta formonin njëanshëm Asociacionin e Komunave me shumicë serbe sipas marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel, e jo me ndryshime siç deklaronin autoritetet e Kosovës. Bile ato ditë pati disa takime të kryetarëve të komunave serb për nisjen e punës.

Pas këtyre deklaratave kërcënuese të serbëve, liderët e shtetit thanë se askush nuk mund të formojë asgjë në Kosovë, pa u bërë sipas ligjeve e Kushtetutës së Kosovës.

Në lidhje me këto çështje reagoj edhe Bashkimi Evropian, ku kërkoi nga Kosova që brenda katër muajve të formojnë AKS-në, transmeton Lajmi.net.

Me të marrë kritika nga BE-së, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi kanë riaktivizuar ekipin menaxherial, i cili do të bëjë draft-imin e statutit për Asociacionin e Komunave Serbe.

Ekipi Menaxhues për draftimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka filluar punën, ndërsa lajmi.net ka kontaktuar me këshilltarin e  kryeministrit, Ramush Haradinaj, Selim Selimi për të kuptuar se çfarë pune po bëhet nga ekipi dhe cila është përbërja e tij.

“Kryeministri rishtas ka nxjerrë një vendim i cili ka për qëllim garantimin se do të ketë konsistencë institucionale dhe politike me fazat e mëhershme të dialogut me Serbinë, në mënyrë specifike, me veprimet që lidhen me Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe”, ka thënë ai.

Selimi për lajmi.net ka treguar edhe për përbërjen e Ekipit Menaxhues, i cili thotë se është përbërja e Qeverisë së kaluar të cili vetëm i është vazhduar mandati.

“Ekipi Menaxhues është operacionalizuar nga mandati i Qeverisë së kaluar në përbërjen e mëhershme duke i vazhduar mandatin: Vinka Radosavljeviq, Svetislav Durleviq, Igor Kalamar, Dejan Radojkoviq”, ka sqaruar ai.

Sipas Planit Zbatues të dakorduar në Bruksel në maj 2013, Selimi thotë, se është paraparë krijimi i Komitetit Zbatues, i cili edhe do të definojë përgjegjësitë dhe detyrat e Ekipit Menaxhues.

“Gjithashtu sipas Planit Zbatues të dakorduar në Bruksel në Maj 2013, është paraparë krijimi i Komitetit Zbatues, i cili do të definojë përgjegjësitë dhe detyrat (termat e references) së Ekipit Menaxhues. Komiteti Zbatues do të kryesohet nga Kryenegociatori për Dialogun Teknik me Serbinë. Ky obligim është respektuar dhe është përfshirë në Vendimin e Kryeministrit që garanton konsistencën institucionale karshi dialogut me Serbinë”, potencoi ai.

Gjithashtu, siç thotë këshilltari i jashtë i kryeministrit, është paraparë që të krijohet Ekipi Nacional Konsultativ që do të ndërtojë platformën për diskutim dhe konsultim me ekspertët vendor dhe ndërkombëtar.

Ekipi i lartpërmendur do të ketë punë intensive dhe do të bashkëpunojë me Qeverinë, Parlamentin, strukturat ministrore dhe lokale, shoqërinë civile, dhe opozitën.

“Në mënyrë që të garantohet gjithëpërfshirja Kryeministri ka paraparë krijimin e Ekipit Nacional Konsultativ që do të ndërtojë platformën për diskutim dhe konsultim me ekspertët vendor dhe ndërkombëtar. Ky ekip do të punojë ngushtë me Qeverinë, Parlamentin, strukturat ministrore dhe lokale, shoqërinë civile, dhe opozitën. Gjithashtu, ekipi do të sigurohet që të gjitha komunitetet në Kosovë të jenë të përfaqësuara denjësisht”, tha Selimi. /Flutura Toplan/Lajmi.net/

Lajmet më të lexuara