Alli: Transformimi i FSK-së, duke respektuar Kushtetutën

09:01 | 30 Qershor 2018

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Paolo Alli, i cili gjatë ditës së djeshme ka qëndruar në Kosovë me një delegacion nga kjo Asamble, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është kusht esencial për anëtarësimin e Kosovës në Bashkim Evropian dhe në NATO. Alli këto deklarata i bëri pas takimit që delegacioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-s ka pasur me anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, shkruan sot Gazeta “Zëri”

“Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mbetet kushti më i rëndësishëm për këto procese. Gjithashtu edhe luftimi i krimit dhe i korrupsionit janë bazike në këtë rrugë. Luftimi i terrorizimit mbetet sfidë për të gjithë, prandaj edhe duhet punë për t’u bërë”, ka thënë ai.

Mes tjerash ai shtoi edhe se Ballkani Perëndimor është rajon i rëndësishëm për Evropën, prandaj edhe integrimi është i garantuar, vetëm se duhet të gjitha shtetet që synojnë integrimin t’i përfundojnë detyrat e tyre.

“Ne jemi duke vështruar progresin këtu në rajon, e kuptojmë që qytetarët dëshirojnë t’i bashkohen NATO-s, sigurisht ka ende punë për të bërë. Jam i sigurt se Kosova është në rrugë të mirë që t’i plotësojnë objektivat për t’u bërë pjesë e NATO-s”, ka theksuar ai./Zëri/

Lajmet më të lexuara