​Biblioteka Kombëtare merr ngjyrat e flamurit të Evropës

22:43 | 9 Maj 2021

Me rastin e shënimit të Ditës së Evropës, kupolat e Bibliotekën Kombëtare të Kosovës sonte janë ndezur në ngjyrat kaltër-verdh.

“Për të shënuar #DitëneEvropës2021, po ndriçojmë në të kaltër dhe verdh monumentin më të njohur në Kosovë, Bibliotekën Kombëtare. Urime Dita e Evropës”, thuhet në një postim të BE-së në Kosovë.

Në një video-adresim me rastin e shënimit të kësaj dite, ambasadori i BE-së në Prishtinë Tomas Szunyog tha se BE-ja do të vazhdojë të jetë partneri më i afërt i Kosovës dhe se kjo e fundit e ka të ardhmen e saj në Bashkimin Evropian.

“Kjo është mundësia e parë që më jepet që ta përgëzoj popullin e Kosovës, teksa kremtojmë së bashku Ditën e Evropës. 9 maji na përkujton unitetin dhe fatin e përbashkët të unionit tonë, dhe partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor. Kjo ditë na përkujton të gjithëve. Kjo ditë u përket kosovarëve po aq sa iu përket qytetarëve të BE-së. Ajo përfaqëson kremtimin e vlerave të përbashkëta te të cilat besojmë. Kosova e ka të ardhmen në Bashkimin Evropian dhe nuk ka alternativë ndaj rrugës evropiane. BE nuk do të jetë e plotë pa të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Është besimi im i palëkundur, se përkundër sfidave të sjella nga pandemia përkundër ndonjë dallimi të përkohshëm në opinione, roli i BE-së nuk do të pakësohet kurrë dhe BE-ja do të vazhdojë të jetë partneri më i afërt i Kosovës”, deklaroi ai.

Për më tepër, ai ka shprehur përkushtimin e BE-së për të vazhduar ndihmën për Kosovën për rimëkëmbjen ekonomike, institucioneve të saj, forcimin e demokracisë dhe punësim për të rinjtë.

“BE ka siguruar resurse financiare për luftimin e efekteve sociale dhe ekonomike të krizës aktuale, me ndihma humanitare, grante dhe kredi. Por, ne do të bëjmë edhe më shumë. Të gjithëve na ka prekur, dhe së bashku duhet ta luftojmë. Prandaj, le të qëndrojmë së bashku sot, për ta shënuar Ditën e Evropës, dhe të kremtojmë vlerat e përbashkëta mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë Szunyog.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara