“Muzat e Alpeve 2018” përkujtojnë Basri Çapriqin, Çmimi “Teuta” i ndahet Nazmi Rrahmanit

22:53 | 9 Korrik 2018

Karvani i shkrimtarëve nga rajoni në ditën e dytë të manifestimit “Muzat e Alpeve 2018”, me një orë letrare ka përkujtuar poetin dhe studiuesin Basri Çapriqi dhe krijimtarinë që la ai pas vetes.

Manifestimi letrar ndërkufitar “Muzat e Alpeve 2018” – i Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve “Teuta”, realizuar në bashkëpunim me Teatrin Shqiptar në Amerikë, si dhe me Shoqatën e Artistëve dhe Shkrimtarëve “Art Club” të Ulqinit – sivjet filloi në Gjakovë, vazhdoi në Ulqin dhe do të përmbyllet në Krujë me ndarjen e Çmimit për Vepër Jetësore “Teuta”

“S’ke me dal nga Parajsa”, ishte poezia me te cilën Sali Bashota filloi kumtesën kushtuar jetës dhe veprës se shkrimtarit dhe studiuesit të mirënjohur ulqinak Basri Çapriqit.

“Çapriqi ishte poet i mrekullueshëm, eseist brilant, studiues i letërsisë dhe mësimdhënës i veçantë, ndërsa vepra e tij me ese e poezi është përfshirë në dhjetëra antologji botërore”, ka thënë ai.

Ndërsa, shkrimtari i mirënjohur malazez, Mirash Martinoviq, laureat i Çmimit “Teuta”, ndër të tjera tha: “Në histori ekzistojnë momente të caktuara në të cilat shkrimtarët e mëdhenj i ndërgjegjësojnë popujt e tyre. Me këtë rast unë mendoj në Zogoviqin, Brkoviqin, Ali Podrimën, në gjithë plejadën e laureatëve të Çmimit për Vepër Jetësore, “Teuta”, përfshirë edhe Basri Çapriqin i cili do duhej të ishte këtu me ne, për të pasuruar manifestimin tonë me madhështinë e tij dhe me veprën moderne dhe evropiane. Letërsia shqipe do të jetë krenare me veprën e tij e cila do të mbetet gjithmonë objekt vëmendjeje”.

Dita e tretë e manifestimit vazhdon në qytetin e Krujës, ku edhe do t’i ndahet Çmimi për Vepër Jetësore “Teuta”, shkrimtarit të mirënjohur nga Kosova, Nazmi Rrahmanit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara