Për herë të parë në Kosovë, Platforma Kulturore e Evropës Qendrore (PCCE), në përbërje të shteteve anëtare të BE-së, Hungarisë, Austrisë, Çekisë, Sllovakisë dhe Polonisë, në bashkëpunim me MKRS-në, do të organizojnë një gala koncert muzikor me artistë të rinj të këtyre vendeve dhe të Kosovës, i cili do të mbahet sonte në 18:00, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë.
“Para kësaj ngjarje sot u mbajt një takim mes ministrit, Hajrulla Çeku, ambasadorëve të Hungarisë, Dr. József Bencze e atij të Çekisë, Pavel Bilek, shefit të zyrës së Sllovakisë, Rastislav Kostilnik, dhe drejtorëve të PCCE-së të shteteve anëtare, Martin Pammer nga Austria, Rafal Ëolksi nga Polonia, Martina Pivonkova, nga Sllovakia, dhe Klára Nagy-Gery nga Hungaria”, thuhet në njoftim.
Në takim u diskutua për rëndësinë e këtij organizimi në promovimin e artistëve të rinj dhe thellimin e bashkëpunimit e dialogut kulturor mes shteteve të Evropës Qendrore dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ndër tjera, në takim, ministri Çeku falënderoi përfaqësuesit e shteteve anëtare të PCCE-së që kanë përzgjedhur Republikën e Kosovës për të organizuar këtë ngjarje të rëndësishme kulturore, ndërsa foli për rëndësinë e komunikimit dhe bashkëpunimit bilateral kulturor të vendit tonë me shtetet përkatëse të platformës dhe me rajonin e Evropës Qendrore.
Në cilësinë e përfaqësueses së PCCE-së, Klára Nagy-Gery, drejtore e PCCE-së së Hungarisë, foli për detajet e koncertit që do të mbahet sonte dhe rëndësinë e shkëmbimit kulturor mes vendeve.
PCCE u lansua në Austri, më 2001 nga gjashtë vende të Evropës Qendrore dhe objektivi kryesor është ruajtja e dialogut të ndërsjellë kulturor, sigurimi dhe mbështetja e projekteve dypalëshe dhe shumëpalëshe të fokusuara në interesat e përbashkëta dhe vlerat kulturore të Evropës Qendrore./arbresh.info/
Vrasja e 11-vjeçares në Francë, arrestohet edhe vëllai i të ...
“Investimet e huaja nuk shkatërrojnë mjedisin”, Rama: Ato nu...
Therje me thikë në Gjilan, arrestohen dy persona
Fushë Kosova nis dezinsektimin në hapësirat publike më 10 dh...
Izraeli kryen sulme të reja në Tiro, urdhër evakuimi për ban...
Real Madrid dhe Barcelona në garë për Julián Álvarez