Krasniqi: Vetë kam qenë pjesë e LDK-së, është absurde të mendohet se kam persekutuar anëtarët e saj

11:04 | 5 Prill 2023
Emir Abduramani

Para trupit gjykues, Jakup Krasniqi ka komentuar pjesën e aktakuzës ku flitet për vrasjen deh përndjekjen e anëtarëve të LDK-së, gjoja se ata janë parë si kundershtarë të UÇK- së.

Krasniqi tha se pasi u kthye nga burgu në Kosovë ai është angazhuar në partinë e LDK-së në Drenas.

“Më 1992 u organizuan zgjedhjet ku fitova 96% të votave në zonën time ku edhe u zgjodha deputet. Më pas kam udhëhequr këshillin e financave në Drenas dhe deri më 1998 kam qenë kryetar i këshillit për arsim në Drenas dhe kryetar i degës së LDK-së në Drenas”, tha Krasniqi.

Ai theksoi se meqë vetë ka qenë anëtar i kësaj partie, është absurde që të mendohet se ai është ëprfshirë në vrasjen e tyre, sepse ajo nënkuptonte që ai po vret veten dhe familjarët e tij.

“Absurde që të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së, unë vetë isha pjesë e tyre, familjarët e mi, bashkëluftëtarët e mi. Vetëm një mendje e çoroditur mund të mendojë se unë kam qenë i përfshirë në vrasjen time dhe familjarëve”, tha ai.

Ai përmendi se vajza e vëllait tij ka qenë asamblistë e LDK-së edhe pasluftës, teksa tha se përkundër rrugëve të ndara me këtë parti, ai ende ka respekt për kontributin e tyre.

“Vëllai im Agim Krasniqi ka qenë deri pas luftës anëtar i LDK-së, vajza e tij u zgjodh si anëtare në asamble, ndërkaq pas luftës edhe pse kemi pasur rrugë të veçanta, ruaj respektin për këtë parti dhe anëtarët e saj për shkak të kontributit të përbashkët që kemi dhënë”, tha Krasniqi./Arbresh.info

Të ngjashme