Ministria e Shëndetësisë planifikon vaksinim në shkolla e objekte fetare

07:33 | 19 Nëntor 2021

Qendra kryesore për vaksinim kundër koronavirusit në Prishtinë, Salla “1 Tetori”, të enjten (18 nëntor) ishte bosh në orët e paradites. Interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar vazhdon të jetë i ulët.

Nga 20 mijë doza të vaksinave të administruara gjatë një dite në muajin shtator, në 10 ditët e fundit në Kosovë administrohen mesatarisht rreth 2,100 doza të vaksinës.

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit në fund të marsit dhe deri më 18 nëntor më shumë se 753 mijë qytetarë – apo mbi 41 për qind e popullatës së përgjithshme i ka marrë nga dy doza të vaksinës.

Vaksinimi në Kosovë tani bëhet pa termin dhe lejohet për të gjitha moshat mbi 12 vjeç.

Vaksinat që jepen në Kosovë janë: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca – të dyja të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane e Barnave.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se përmes vizitave derë më derë, kjo ministri po synon rritjen e numrit të të vaksinuarve. Po ashtu, kjo ministri thotë se janë duke bërë përgatitjet për vaksinim nëpërmjet ekipeve mobile edhe në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, në institucione fetare dhe në shkolla.

“Ministria e Shëndetësisë iu bën thirrje për vaksinim atyre që nuk e kanë bërë këtë, sepse tashmë kemi edhe praninë e variantit Delta Plus në Kosovë dhe mosvaksinimi do të ishte një shans i madh i humbur në dëm të shëndetit individual dhe kolektiv të popullatës”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë për REL.

Numri i rasteve të reja me koronavirus në Kosovë mbetet i ulët, pavarësisht se shkalla e infeksionit me COVID-19 në rajon dhe më gjerë është e lartë.

Në 10 ditët të fundit në Kosovë janë shënuar 102 raste të reja dhe dy raste me të vdekur.

Pikërisht për shkak të infeksionit të lartë në rajon, profesionistët shëndetësorë në Kosovë kanë thënë se situata epidemiologjike është jostabile. Kësaj i kontribuon edhe fakti se varianti Delta i koronavirusit, i cili është më ngjitës, është dominues në Kosovë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara