Dasma në kohë pandemie, ky rajon i Italisë jep bonus me para për ata që martohen këtë vit

00:51 | 22 Gusht 2020

Rajoni i Puglia-s, ka vendosur të vërë në dispozicion një bonus prej 1.500 eurosh për çifte që vendosin të martohen në vitin 2020. Bonusi u aktivizua nga 1 Korriku dhe mund të kërkohet deri më 31 Dhjetor 2020.

Michele Emiliano, guvernatori i Puglia-s me një mesazh video të publikuar në Facebook dha lajmin për mbërritjen e bonusit për dasmat.

“Për të gjithë çiftet që janë martuar në këtë periudhë të vështirë dhe të cilët do të martohen deri në fund të vitit, ne kemi botuar njoftimin e Bonusit të Martesës. Është një sasi e vogël, por e dobishme për të qetësuar vështirësitë e momentit”.

Kontributi mund të kërkohet nga çifte që janë martuar pas 1 Korrikut. Iniciativa e Rajonit, së bashku me Puglia Promotion, synon të ndihmojë të gjithë sektorin e dasmave, të goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit.

Shuma mund të përdoret për shpenzimet e dasmave, të tilla si marrja me qira e dhomave të pritjes, luleshitës, restorante, etj. Në vitin 2019, sektori i dasmave lëvizi rreth një miliardë euro. Këtë vit shifra do të ulet ndjeshëm për shkak të Covid./tetovasot/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara