Arsyetimi i qeverisë për masat e marra

12:19 | 6 Prill 2021

Masat e ndërmarra sipas këtij vendimi janë mbështetur në arsyetimin se:

– Situata faktike në bazë të analizës së situatës epidemiologjike me COVID-19 nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të datës 03 prill 2021, tregon se në dy javët e fundit (19.03.2021 deri 01.04.2021) janë raportuar 11.577 raste pozitive, 150 raste fatale, ndërsa shkalla e fatalitetit të rastit (CFR) është 1.29%.

– Nga data 08.02.2020 deri më 01.04.2021, janë testuar gjithsej 434.893 persona të dyshimtë me virusin SARS-CoV-2. Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej 92.198 raste ose 21.2% e mostrave të testuara janë pozitive. Deri më 01.04.2021, 76.402 raste ose 82.86% e të infektuarve janë shëruar, ndërsa aktualisht janë 13.902 raste aktive (15.1%). Duke e përcjellë numrin e rasteve të detektuara dhe konfirmuara, sipas ditëve shihet ecuri e trendit në rritje (16.7%) të rasteve aktive, kurse 13.902 rastet aktuale aktive krahasuar me numrin e rasteve aktive para masave të nëntorit– gjithsej 13.784 me kulmin më 2 dhjetor 2020, që paraqet rritje për 0.8%.

– IKSHPK ka testuar me Real Time PCR 147 mostra pozitive me SARS CoV-2 për detektimin e varianteve britanik B.1.1.7 dhe atij të Afrikës së Jugut B.1.351. Këto mostra ishin pranuar nga të gjitha rajonet e Kosovës dhe të cilat kishin rezultuar pozitive në SARS-CoV-2 gjatë ditëve të fundit. Nga numri total i mostrave të testuara, 97.27% e tyre ishin me variantin britanik dhe asnjë me variantin e Afrikës së Jugut. Prandaj kjo situatë ku varianti britanik është më së shumti i përhapur, kërkon që të minimizohet sa më shumë ekspozimi ndaj COVID-19 dhe të ngadalësohet përhapja e tij, në mënyrë që kapacitetet e shërbimit spitalor të jenë të përballueshme dhe të menaxhueshme.

– Në një situatë të tillë të gjendjes emergjente të shëndetit publik, është e nevojshme që të kufizohet liria e lëvizjes, liria e tubimit, e të drejtës së privatësisë, dhe lirisë së dhënies së shërbimeve dhe të administrimit të biznesit. Këto kufizime janë të bazuara në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, dhe ashtu siç kanë konstatuar ekspertët shëndetësorë nga IKSHPK dhe OBSH, janë rreptësishtë të nevojshme atëherë kur situata epidemiologjike është e rënduar.

– Afatet kohore të përcaktuara në këtë vendim shërbejnë si domosdoshmëri që lakorja e infektimit të ulet, mirëpo varësisht sipas vlerësimeve të situatës epidemiologjike asgjë nuk e përjashton që këto afate mund të zgjaten përmes një vendimi të ri. Varësisht sipas situatës epidemiologjike dhe efektit të këtyre masave mund të merren masa të reja të cilat mund të jenë më të ashpra apo më të lehta se masat e përcaktuara në këtë vendim.

– Ndërsa në bazë të hulumtimit epidemiologjik të rasteve me COVID-19 dhe gjurmimit të kontakteve, nga IKSHPK, si ngjarje potencialisht super-shpërndarëse të infeksionit janë identifikuar: gastronomia; institucionet publike; puna në zyre/vende të përbashkëta; qendrat tregtare; shkollat; grumbullimet e personave, me theks të veçantë rastet e vdekjes dhe ahengjet e ndryshme.

Marrja e masave është bërë duke i kushtuar rëndësi tri objektivave:

– Minimizimit të ekspozimit ndaj COVID-19 dhe ngadalësimi i përhapjes së tij, ashtu që kapacitetet shëndetësore të shëndetit publik të mos përmbyten përtej limit të tyre;

– Ruajtjes së shëndetit mendor dhe fizik të qytetarëve.

– Për aq sa është e mundur, mbajtja e aktivitetit ekonomik të hapur.

– Rrjedhimisht, në bazë të rekomandimeve të dhëna nga IKSHPK të vlerësuara nga Komiteti për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me COVID -19 për ndërmarrjen e masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh dispozitat në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi.

46 pikat e vendimit për masat e reja

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara