Bashkimi Evropian do të mbajë një qëndrim të bashkuar për sanksionet ndaj Rusisë lidhur me konfliktin në Ukrainë, por përparësia është forcimi i armëpushimit të brishtë të arritur në Minsk, tha sot shefja e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini.
“Ne qëndrojmë të bashkuar, dhe do të vazhojmë të jemi të bashkuar. Nuk është gjithmonë e lehtë por është gjithmonë e nevojshme. E dime shumë mirë, të gjitha vendet anëtare e dinë mire se bashkimi është forca jonë, është reagimi ynë më i efektshëm. Është gjithashtu veprimi ynë më i efektshëm kur bëhet fjalë për masa pozitive që mund të vendosim për zbatimin e marrëveshjes së Minskut. Edhe për sanksionet ne do të qëndrojmë patjetër të bashkuar,” tha zonja Mogherini, në një takim të ministrave të jashtëm të BE-së në Letoni.
Megjithë disa shenja përmirësimi në terren, tani për tani nuk shtrohet aspak lehtësimi i sanksioneve, tha shefja e BE-së.
“Të gjitha përpjekjet që po bëjmë në terren, në Kiev me delegacionin tonë, me mbështetjen që po i japim marrëveshjes së Minskut, kjo është e vetmja mënyrë për të ecur përpara.”
Komentet e saj vijnë ndërsa vazhdon dhuna në Ukrainë megjithë marrëveshjen e armëpushimit të arritur në Minsk muajin e kaluar, që bën thirrje për tërheqjen e armëve të rënda nga vija e frontit.
Ukraina dhe qeveritë perëndimore kanë akuzuar Rusinë se dërgon trupa dhe armë në mbështetje të separatistëve në lindje të Ukrainës, akuzë që Rusia e mohon.
Si presion mbi Moskën, Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja gjatë vitit të kaluar vendosën sanksione, të cilat kanë dëmtuar ekonominë ruse dhe kanë tensionuar më tej marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin.
Zonja Mogherini theksoi se përpjekjet e BE-së për të sjellë paqe në Ukrainë duhet të shoqërohen me një zgjidhje afatgjatë për të stabilizuar vendin.
Ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier, që mori pjesë në takimin në Rigë, tha se vendi i tij po shqyrton llojet e pajisjeve që mund të japë për të ndihmuar në monitorimin e armëpushimit nga Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë.
“Po diskutojmë në Gjermani me të gjitha ministritë, veçanërisht me atë të mbrojtjes se me çfarë mjetesh mund ta pajisim OSBE-në. Gjithashtu ne jemi një nga shtetet që me rritjen e përgjegjësive të OSBE-së kemi dhënë mbështetje financiare shtesë, ashtu siç duhet të bëjnë edhe vendet e tjera anëtare”, tha zoti Steinmeier.
Ministri i jashtëm britanik Philip Hammond tha sot në Varshavë se Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për sanksione të reja që mund të vendosen shpejt në se marrëveshja e Minskut dështon.
Takimi i Rigës vjen ndërsa Rusia tha se ka filluar manovra ushtarake në shkallë të gjerë në jug të vendit dhe në territoret e debatueshme në kufi me Rusinë. Në manovra përfshihen mbi 2 mijë trupa./voa
Juventusi ka zgjatur kontratën e Arkadiusz Milik
FBK e zbut dënimin e Bashkimit pas ankesës së klubit
Osmani përkujtoi 26-vjetorin e masakrës në Shtuticë, Vërbovc...
Ukrainasit godasin me dronë një fabrikë të armëve në Murom t...
Kurti bëri homazhe te kompleksi Memorial në Marinë dhe te va...
Rodri është rikthyer në stërvitje për Man Cityn