Tensione Izrael-Iran, NATO dënon agresionin ndaj cisternës

21:43 | 3 Gusht 2021

NATO ka reaguar sa i përket sulmit ndaj cisternës izraelite në gjirin e Omanit. Aleanca veriatlantike i bëri thirrje Iranit të respektojë rregullat ndërkombëtare të transportit. Më herët ka qenë sekretari amerikan Blinken që ka folur për një përgjigje ndaj Iranit për këtë sulm.

Aleanca veriatlantike ka dënuar sulmin ndaj një cisterne që lundronte në Gjirin e Omanit, sulm për të cilin Uashingtoni dhe Tel Avivi kanë akuzuar Tehranin.

NATO-ja i bëri thirrje Iranit të respektojë rregullat ndërkombëtare të transportit. Për rastin ka reaguar gjithashtu edhe Bashkimi Evropian, ndërsa e dënoi sulmin duke e quajtur si “të papranueshëm”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Izraeli thonë se Irani e kreu sulmin ndaj cisternës MV Mercer Street, që solli humbjen e jetës së një rojeje sigurie dhe një anëtari të ekuipazhit.

Kryeministri izraelit Naftali Bennett ka thënë se Izraeli është në gjendje të “veprojë i vetëm” kundër Iranit, pas këtij sulmi.

Më herët ka qenë sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken që paralajmëroi një “përgjigje kolektive” pas sulmit ndaj një cisternës në brigjet e Omanit.

Teherani ka mohuar çdo përgjegjësi për rastin duke i cilësuar akuzat për përfshirje në këtë sulm si “të rreme”.

Presidenti i ri i këtij vendi, Ebrahim Raisi, një ultra-konservator, ka paralajmëruar se do t’i përgjigjet çdo veprimi “nga armiqtë perëndimorë”.

Tensione ka pasur edhe më herët në këtë pjesë të Lindjes së Mesme, ndërsa Irani akuzon Izraelin për sulme ndaj cisternave iraniane.

Lajmet më të lexuara