Tajlanda ndalon tubimet publike pas përshkallëzimit të protestave

09:11 | 15 Tetor 2020

Kryeministri i Tajlandës, Prayuth Chan-ocha ka nënshkruar dekret emergjent, duke i ndaluar tubimet publike për pesë persona e më shumë dhe kufizim të transportit.

Dekreti gjithashtu ndalon publikimin e lajmeve të ndjeshme dhe i jep autoritet policisë dhe ushtarëve të zgjidhin “situatat emergjente”, transmeton portali arbresh.info

Prayuth përmendi “agresionin që ndikon në stabilitetin e shtetit” për këtë veprim, pasi protestat anti-qeveritare u përshkallëzuan të mërkurën në mbrëmje.

“Është jashtëzakonisht e nevojshme të futet një masë urgjente për t’i dhënë fund kësaj situate në mënyrë efektive dhe të shpejtë për të ruajtur paqen dhe rendin,” tha ai. Nuk është e qartë për sa kohë do të jetë në fuqi ky dekret emergjence.

Një arsye tjetër e cituar për masën e urgjencës ishte pengimi i një autokolone mbretërore nga protestuesit të martën.

Dekreti hyri në fuqi në 4 të mëngjesit, pas së cilës policia pushtoi rrugët ku ishin të pranishëm protestuesit. Në atë kohë, disa protestues ishin larguar tashmë dhe kishin planifikuar të mblidheshin pasdite në një kryqëzim të madh tregtar në Bangkok.

Të paktën tre udhëheqës proteste u arrestuan nga policia, sipas Avokatëve Tajlandezë për të Drejtat e Njeriut./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara