Samiti i Klimës, SHBA dhe vende të tjera rritin objektivat

07:28 | 23 Prill 2021

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera i rritën objektivat e tyre për uljen e emetimeve të gazrave serë gjatë një samiti global për klimën të organizuar nga Presidenti Joe Biden, një ngjarje që synon të ringjallë rolin udhëheqës të SHBA në luftën kundër ngrohjes globale.

Në hapje të samitit dyditor, Presidenti Biden shpalli synimin për të ulur emetimet me 50% – 52% krahasuar me nivelet e vitit 2005. Samiti filloi në Ditën e Tokës dhe në të marrin pjesë në mënyrë virtuale udhëheqësit e 40 vendeve, duke përfshirë emetuesit e mëdhenj të gazeve si Kina, India dhe Rusia. Shtetet e Bashkuara, emetuesi i dytë në botë pas Kinës, kërkon të rimarrë udhëheqjen botërore në luftën kundër ngrohjes globale pasi ish Presidenti Donald Trump e tërhoqi vendin nga përpjekjet ndërkombëtare për të ulur emetimet.

“Kjo është dekada në të cilën ne duhet të marrim vendime që do të shmangin pasojat më të këqija të krizës së klimës,” tha Presidenti Biden në Shtëpinë e Bardhë. “Nuk bëhet fjalë vetëm për ruajtjen e planetit. Bëhet fjalë për të siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë ne,” tha ai. “Të dhënat shkencore janë të qarta dhe të pakundërshtueshme. Kostoja e mosveprimit vazhdon të rritet,” Presidenti i SHBA. Kryeministri britanik Boris Johnson e quajti objektivin e ri amerikan një faktor të rëndësishëm ndryshimi, ndërsa dy vende të tjera bënë premtime të reja.

Kryeministri Yoshihide Suga, i cili vizitoi zotin Biden në Shtëpinë e Bardhë këtë muaj, ngriti objektivin e Japonisë për uljen e emetimeve në 46% deri në vitin 2030, nga 26% që ishte më parë. Ambientalistët donin një premtim prej të paktën 50% ndërsa lobi i fuqishëm i biznesit të Japonisë ka nxitur politika që favorizojnë qymyrgurin. Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau, ndërkohë, ngriti objektivin e vendit të tij me një ulje gazrash prej 40% – 45% deri në vitin 2030, nga 30% që ishte më parë.

Presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro shpalli objektivin më ambicioz deri tani, duke thënë se vendi do të arrinte neutralitetin e shkarkimeve të gazeve deri në vitin 2050, ose 10 vjet më herët se objektivi i mëparshëm. Shumica e vendeve nuk ofruan objektiva të reja. Presidenti kinez Xi Jinping tha se Kina pret që emetimet e saj të karbonit të arrijnë pikën kulmore para vitit 2030 dhe se vendi do të arrijë zero emetime deri në vitin 2060.

Ai tha se Kina do të zvogëlojë gradualisht përdorimin e qymyrit nga viti 2025 në 2030. Presidenti rus Vladimir Putin propozoi dhënien e një trajtimi preferencial për investimet e huaja në projekte të energjisë së pastër, por gjithashtu bëri një referencë të dukshme për Shtetet e Bashkuara, si ndotësi kryesor me gazin serrë në botë. “Nuk është sekret se rrethanat që lehtësuan ngrohjen globale dhe problemet e lidhura me të e kanë burimin shumë prapa në kohë,” tha ai.

Objektivi i ri i shpallur nga SHBA për klimën shënon një moment historik në planin më të gjerë të Presidentit Biden për të dekarbonizuar ekonominë tërësisht deri në vitin 2050, një program që sipas tij mund të krijojë miliona vende pune me pagë të mirë, por që shumë republikanë thonë se do të dëmtojë ekonominë. Shkurtimet e emetimeve në SHBA pritet të vijnë nga termocentralet, automobilët dhe sektorë të tjerë në të gjithë ekonominë. Objektivat specifike të secilit sektor do të përcaktohen më vonë këtë vit.

Mënyra se si Uashingtoni synon të arrijë objektivat e tij për klimën do të jetë me rëndësi thelbësore për çimentimin e besueshmërisë së SHBA në aspektin e ngrohjes globale, mes shqetësimeve ndërkombëtare se angazhimi i Amerikës për një ekonomi të energjisë së pastër mund të ndryshojë në mënyrë drastike nga një administratë në tjetrën. Plani i infrastrukturës së Presidentit Biden prej 2.3 trilionë dollarësh, i paraqitur kohët e fundit, përmban masa të shumta që mund të çojnë në disa prej uljeve më të nevojshme për shkarkimin e gazit serrë këtë dekadë.

Por masat duhet të marrin miratimin e Kongresit para se të bëhen realitet. Instituti Amerikan i Naftës, grupi kryesor i lobimit për naftën dhe gazin, e mirëpriti por me tone të moderuara premtimin e zotit Biden. Instituti tha se premtimi duhet të shoqërohet me politika të caktuara, duke përfshirë çmimin që do të paguhet për eliminimin e gazeve serrë. Politika të tilla është e vështirë të marrin miratimin e disa ligjvënësve.

Mesatarisht në të gjithë globin, temperaturat janë rritur më shumë se 1.1 gradë Celsius që nga viti 1980. Shkencëtarët e lidhin këtë rritje me valë nxehtësie, thatësira, zjarre, stuhi dhe të tjera. Ata vënë në dukje se shkalla e rritjes së temperaturës është përshpejtuar që nga vitet 1980. Udhëheqësit botërorë ranë dakord të kufizojnë ngrohjen globale në nën 2 gradë në marrëveshjen e klimës së Parisit 2015, dhe të kishin si objektiv uljen në 1.5 gradë./TCH/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara