Pompeo në epiqendër të politikës së jashtme amerikane

US Congressman Mike Pompeo, R-Kansas, testifies before the Senate (Select) Intelligence Committee on Capitol Hill in Washington, DC, January 12, 2017, on his nomination to be director of the Central Intelligence Agency (CIA) in the Trump administration. / AFP PHOTO / JIM WATSON

19:56 | 19 Prill 2018
Trina Galanxhi

Udhëtimi sekret drejt Koresë së Veriut i Drejtorit të CIA-s Mike Pompeo, e vendos atë në qendër të vëmendjes, si një person i besuar dhe i afërt i Presidentit Donald Trump. Duket se atij i është besuar edhe përgatitja e një takimi mes Presidentit Trump dhe udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës për çështjet diplomatike, i hedh një vështrim profilit të kreut të agjencisë amerikane të zbulimit, i cili pritet të bëhet edhe kreu i ardhshëm i diplomacisë amerikane.

Presidenti Donald Trump e bëri të qartë se dëshiron vërtet që Senati ta konfirmojë Mike Pompeon në postin e Sekretarit të Shtetit.

“Mendoj se Mike Pompeo do të jetë një ndër sekretarët më të shkëlqyer të shtetit. Sapo është kthyer nga Koreja e Veriut”, tha Presidenti Trump.

Senatorë nga të dyja partitë thanë se nuk ishin informuar paraprakisht për udhëtimin historik dhe sekret drejt Koresë së Veriut, apo për takimin e tij me Kim Jong Unin. Por, shumica shprehen të kënaqur.

“Kjo tregon për rëndësinë e emërimit të Pompeos si Sekretar Shteti. Disa duan të luajnë politikisht me emërimin e tij, por mund ta shihni se ai është shumë i përfshirë në bisedimet e nivelit më të lartë ndonjëherë me diktatorin që kërcënon Shtetet e Bashkuara me armë bërthamore”, tha Senatori republikan Cory Gardner.

“Më ngrohu lajmi kur e dëgjova. Nuk mendoj se mund të pritet shumë, por dialogu është diçka pozitive”, tha Senatori demokrat Tim Kaine.

“Mendoj se shumica e senatorëve gëzohen që kemi profesionistë në takimet me Korenë e Veriut dhe në përgatitjet për samitin”, tha Senatori republikan Bob Corker.

Ekspertët thonë se lidhjet e afërta të zotit Pompeo me Presidentin Trump e bëjnë më të efektshëm rolin e tij.

“Me sa shohim, atij i beson Presidenti, në dallim nga Sekretari i mëparshëm i Shtetit Rex Tillerson. Rrjedhimisht, kjo tregon se amerikanët janë seriozë në këtë proces dhe po kështu edhe koreanoveriorët”, thotë Malcolm Chalmers, i Institutit të Bashkuar Mbretëror.

Megjithë seancat dëgjimore jo të lehta drejt konfirmimit, emërimi i zotit Pompeo pritet të miratohet nga Senati javën e ardhshme, ndërsa ai duket se po luan që tani një rol kryesor në zhvillimet e rëndësishme të diplomacisë amerikane./VoA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme