Pesë të vdekur dhe dy të plagosur në sulmin me shigjetë

08:01 | 14 Tetor 2021

Pesë persona u vranë dhe dy të tjerë u plagosën në një sulm me sa duket të rastësishëm në Kongsberg, Norvegji, të mërkurën vonë, ndërsa një burrë shëtiste në qytet duke qëlluar njerëz me hark dhe shigjetë.

Autoritetet thanë se personi u arrestua në qendër të qytetit dhe aktualisht po mbahet në qytetin e afërt të Drammen.

Policia nuk është në kërkim të ndonjë të dyshuari tjetër, transmeton arbresh.info.

“Bazuar në informacionin që kemi aktualisht; personi i kapur ka vepruar vetëm. Ne gjithashtu do të duhet të shikojmë nëse ky është një akt terrori apo jo,” tha Øyvind Aas, ndihmës shefi i policisë së qytetit, në një deklarata.

“I dyshuari ende nuk është marrë në pyetje nga policia, dhe për këtë arsye është shumë herët për të thënë asgjë në lidhje me motivimin e tij për veprimet e tij.”

Kongsberg ndodhet rreth një orë në jugperëndim të Oslos, shkruan abcNEWS.

Policia tha se burri u pa duke ecur nëpër qytet duke qëlluar rreth orës 18:30. me kohën lokale dhe u mor në paraburgim rreth 20 minuta më vonë. Fotografitë nga qyteti treguan shigjeta të mbërthyera në muret e ndërtesave.

“Ka pasur dhe ka akoma një aktivitet të madh policor në zonë,” tha Aas. “Arsyeja për këtë është se i dyshuari ka lëvizur në një zonë të madhe, dhe ne tani jemi duke punuar në sigurimin e provave dhe për të marrë sa më shumë informacion në lidhje me incidentin.”

Në një deklaratë, Departamenti Amerikan i Shtetit tha: “Ne jemi në dijeni të sulmit të sotëm dhe shprehim ngushëllimet tona të përzemërta për viktimat dhe familjet e tyre.”/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara