Miliarderi japonez kërkon tetë persona për të fluturuar në Hënë

12:33 | 3 Mars 2021

Miliarderi japonez Yusaku Maezawa ka shpallur një lajmërim, në të cilin fton tetë anëtarë të publikut, për t’u bashkuar me të në një udhëtim rreth hënës, në fluturimin e SpaceX, të Elon Musk.

“Dua që njerëz të prejardhjeve të ndryshme të bashkohen”, tha ai në një video në Twitter, ku ndau gjithashtu detajet e aplikimit, transmeton Arbresh.info.

“Do të paguajë për të gjithë udhëtimin. Kështu ata, që do të vijnë në bord, do të fluturojnë falas”, u shpreh Maezewa.

Misioni, i quajtur “DearMoon”, është planifikuar të realizohet në vitin 2023.

Sipas biznesmenit, aplikantët duhet të plotësojnë dy kritere për t’u bërë pjesë e udhëtimit. Ata duhet të zhvillojnë “çfarëdolloj aktiviteti” në të cilin “ndihmojnë njerëzit dhe shoqërinë në tërësi”. Të jenë gjithashtu “të gatshëm të mbështesin anëtarët e tjerë të ekuipazhit që ndajnë aspirata të ngjashme”.

“Unë kam blerë të gjitha vendet, kështu që do të jetë një udhëtim privat”, shtoi Maezawa.

Yusaku Maezawa është manjat i modës dhe koleksionist i arteve. Ai kishte planifikuar të ftonte në udhëtim “artistë”. Megjithatë, në videon në Twitter, u shpreh se dëshironte “t’u jepte mundësinë njerëzve nga e gjithë bota për t’u bashkuar”. “Nëse e shihni veten si një artist, atëherë ju jeni i tillë”, tha ai.

Vitin e kaluar, Maezewa nisi një dokumentar, në të cilin kërkonte një të dashur për t’u bërë pjesë e udhëtimit. Më vonë e anuloi, sipas tij, për shkak të “ndjenjave konfliktuale”.

Në vitin 2018, Maezawa u emërua pasagjeri i parë privat që do të fluturonte me SpaceX, kompaninë në pronësi të Elon Musk.

Çmimi që biznesmeni pranoi të paguante për biletën, ​​nuk është bërë i ditur, por sipas Musk ishte “shumë i lartë”.

I planifikuar për në vitin 2023, misioni do të bëhet udhëtimi i parë hënor që prej vitit 1972.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara