Lirohet nga burgu djali i Gaddafit

00:17 | 7 Shtator 2021

Sadi Gaddafi, djali i diktatorit libian të ndjerë Muammar Gaddafi, i cili u përmbys dhe u vra gjatë kryengritjeve të vitit 2011, është liruar nga burgu, konfirmoi një burim nga Ministria e Drejtësisë për AFP.

“Sadi Muammar Gaddafi është liruar nga burgu pas një vendimi të gjykatës disa vjet më parë,” tha burimi, por nuk zbuloi nëse Sadi ishte akoma në vend, transmeton portal arbresh.info

Sipas disa raporteve mediake, dyshohet se ai tashmë ka udhëtuar drejt Turqisë.

“Disa muaj më parë, kryeprokurori kërkoi ekzekutimin e vendimit në lidhje me Sadi Gaddafin sapo të plotësohen të gjitha kushtet e nevojshme,” tha burimi.

Sadi bëri një jetë plot salltanet gjatë kohës së sundimit të babait të tij. Pas shpërthimit të kryengritjes, ai u largua për në Nigeri, ndërsa në vitin 2014 u arrestua dhe u burgos.

Ish-futbollisti profesionist në Itali ishte në burg në Tripoli dhe u akuzua për krime kundër protestuesve dhe vrasjen e trajnerit libian të futbollit në vitin 2005, Bashir al-Rayani.

Që nga kryengritja e vitit 2011, Libia është zhytur në kaos me një seri sundimtarësh dhe milicish që luftojnë për pushtet.

Armëpushimi në vitin 2020 i dha fund luftimeve fraksionale dhe hapi rrugën për bisedimet e paqes dhe formimin e një qeverie kalimtare këtë mars, përpara zgjedhjeve të planifikuara në dhjetor. Por përgatitjet janë penguar nga mosmarrëveshjet se kur do të mbahen zgjedhjet, cilat zgjedhje të mbahen dhe mbi çfarë bazash kushtetuese.

Sadi ishte djali i tretë i kolonelit që mori pushtetin gjatë grusht shtetit ushtarak të vitit 1969. Udhëheqësi i vetëshpallur i revolucionit sundoi për 42 vjet.

Për shkak të tekave të tij, ekonomia e vendit ishte penguar, transmeton portal arbresh.info

Gaddafi është akuzuar se e ka përdoru naftën në vend për të financuar grupet e armatosura rebele në të gjithë Afrikën dhe më gjërë. Ndërsa përqendroi pushtetin në një rreth nepotist gjithnjë në tkurrje, ai shkatërroi të gjitha institucionet, ushtarake apo politike, që mund ta kundërshtonin.

Ndërkohë, familja e tij jetonte me pasuri të dukshme së bashku me avionët privatë, makina sportive luksoze dhe një super jaht. Më 20 tetor 2011, rebelët sulmuan qytetin e Gaddafit, Sirte dhe vranë Gaddafin dhe djalin e tij Muatasim./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara