Lavrov: Të shpëtojmë paktin me Iranin

14:34 | 26 Janar 2021

Megjithëse presidenti amerikan, Xho Bajden, ka shprehur interes për t’u rikthyer te marrëveshja me Iranin për arsenalin bërthamor, Uashingtoni ende nuk i ka nisur bisedimet.

Të martën, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, priti kryediplomatin e Teheranit, Xhavad Zarif, për të folur për të ardhmen e marrëveshjes, por edhe për çështje të sigurisë në Gjirin Persik, për zgjidhjen e konfliktit të brendshëm në Afganistan dhe për tensionet Azerbajxhan-Armeni.

“Sot, një nga temat më të ngutshme është të shpëtojmë marrëveshjen për programin bërthamor të Iranit. Ne dhe Irani jemi sinqerisht të interesuar që palët nënshkruese të përmbushin të gjitha zotimet që morën përsipër.”

Marrëveshja e njohur si Planveprimi i Përbashkët u firmos në vitin 2015 mes SHBA-së, Iranit, Rusisë dhe tri vendeve të tjera për të kufizuar ambiciet e Teheranit për armë bërthamore.

Uashingtoni u tërhoq njëanshmërisht prej saj në vitin 2018 nga ish-presidenti Donald Tramp duke rivendosur sanksionet ndaj republikës islamike.

Me gjithë shpresat e Iranit se administrata e re amerikane do jetë më e prirë për dialog, sekretari i ri i Shtetit, Toni Blinken, tregoi javën e kaluar se Uashingtoni vazhdon të ketë rezerva.

“Një Iran me armë bërthamore ose që është afër zotërimit të saj apo ka kapacitetet për ta ndërtuar një të tillë, do e bënte atë edhe më të rrezikshëm sesa është tani kur vazhdon të mbështetë terrorizmin, të destabilizojë rajonin.”

Administrata amerikane thotë se do konsultohet me aleatët e vet, siç është Izraeli, për të vendosur qasjen e ardhshme ndaj Teheranit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara