Kthehen tensionet, disa orë luftime në kufirin Armeni – Azerbajxhan

10:06 | 20 Korrik 2021

Forcat e armatosura të Azerbajxhanit dhe Armenisë shkëmbyen të shtëna për disa orë përgjatë një segmenti të kufirit mes këtyre dy vendeve në kohën kur po shtohen tensionet pas konfliktit të përgjakshëm të vitit të kaluar për Nagorno-Karabakun.

Ministritë e Mbrojtjes të të dyja shteteve e akuzuan njëra-tjetrën për provokim të konfliktit në mbrëmjen e së hënës përgjatë pjesës së kufirit mes Yerask-ut të Armenisë dhe enklavës Naxcivan të Azerbajxhanit, shkruan Free Europe.

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit pretendoi se një lejtnant është plagosur në këmbë, pasi forcat armene hapën zjarr duke përdorur armë të kalibrave të ndryshëm ndaj pozicioneve azere në distriktin Sadarak, duke shtuar se forcat azere hapën zjarr si hakmarrje.

Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Armenisë tha se forcat azere hapën zjarr në drejtim të pozicioneve armene në Yerask, duke shtuar se e tërë përgjegjësia për përleshjen bie mbi Azerbajxhanin. Autoritetet armene nuk raportuan për pasoja në njerëz.

Pavarësisht të shtënave, zyrtarët azerë dhe armenë thanë se situata në kufi është e qetë në mëngjesin e së martës.

Ndryshe, këto dy shtete patën një konflikt të përgjakshëm vitin e kaluar për rajonin e Nagorno-Karabakut. Rreth 6.000 njerëz u vranë gjatë luftimeve, të cilat zgjatën gjashtë javë dhe u ndërprenë me një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia.

Lajmet më të lexuara