Mënyrat për të frenuar ndikimin dhe fuqinë e Kinës, përmes kompanive të saj bioteknike, dronëve dhe automjeteve elektrike do të mbizotërojë javën e parë të punës së Dhomës së Përfaqësuesve, pas pushimeve verore. Ligjvënësit pritet të ndërmarrin një sërë masash që synojnë Pekinin.
Uashingtoni e sheh Pekinin si rivalin e tij më të madh gjeopolitik dhe legjislacioni pretendohet se siguron që Shtetet e Bashkuara të mbizotërojë në konkurrencë. Shumë nga projektligjet e planifikuara për votim këtë javë duket se kanë mbështetjen e republikanëve dhe demokratëve.
Legjislacioni krijon mundësinë për “ndërmarrjen e hapave kuptimplotë për të kundërshtuar kërcënimin ushtarak, ekonomik dhe ideologjik të Partisë Komuniste Kineze”, tha ligjvënësi republikan John Moolenaar, kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Partinë Komuniste Kineze. “Qëllimi i të dy partive është që kjo garë të fitohet nga ne”.
Grupet për të drejtat e njeriut shqetësohen për ndikimin, duke paralajmëruar kundër retorikës që dëmton komunitetin aziatiko-amerikanë”, tha Christine Chen, drejtoreshë ekzekutive e organizatës ‘Vota e Amerikanëve të Ishujve të Azisë dhe Paqësorit’.
Ambasada kineze në Uashington tha se projektligjet e reja nxisin tensionet ndërsa ato qëllimisht po dërgohen për miratim në një vit zgjedhor. Nëse miratohen, projektligjet “do të shkaktojnë ndërhyrje serioze në marrëdhëniet Kinë-SHBA dhe bashkëpunim me dobi të dyanshme. “Kjo në mënyrë të pashmangshme do të dëmtojë interesat, imazhin dhe besueshmërinë e vetë Shteteve të Bashkuara”, tha në një deklaratë zëdhënësi Liu Pengyu.
Nëse miratohen, projektligjet duhet të miratohen edhe nga Senati.
Ja një vështrim mbi legjislacionin kryesor:
Një projektligj kërkon të ndalojë një grup prej pesë kompanish bioteknologjike me lidhje kineze që të punojnë me organizata që marrin fonde federale.
Kompanitë amerikane të bioteknologjisë kanë thënë se ligji do të prishë partneritetin e tyre me kontraktorët kinezë, duke rezultuar në vonesa në provat klinike për barnat e reja dhe rrit koston.
Mbështetësit thonë se legjislacioni është i nevojshëm për të zvogëluar varësinë e vendit nga Kina për furnizim mjekësor.
Ligjvënësi republikan nga Ohajo Brad Wenstrup, një nga bashkë-hartuesit e projektligjit tha se ai është “hapi i parë” për mbrojtjen e të dhënave të amerikanëve.
Ndalimi i dronëve kinezë
Një tjetër projektligj do t’i shpallë dronët kinezë DJI, që mbizotërojnë tregun global si një rrezik të papranueshëm për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Ky projektligj gjithashtu do të mbrojë të dhënat e amerikanëve, por edhe infrastrukturën jetike të vendit, tha ligjvënësja republikane Elise Stefanik e cila e ka hartuar projektligjin.
Firma kineze DJI thotë se ata iu ofrojnë mundësinë përdoruesve të dronëve të tyre të vendosin nëse duan të ndajnë me kompaninë të dhënat si zonat e fluturimit të dronëve, fotografitë dhe videot e regjistruara. Nëse kjo nuk lejohet nga përdoruesit, atëherë firma nuk do të kishte të dhëna për t’iu dhënë qeverive kur kjo kërkohet prej tyre.
DJI gjithashtu hodhi poshtë akuzën se ajo është një firmë ushtarake kineze dhe se ka ndihmuar në persekutimin e pjesëtarëve të minoritetit etnik mysliman në Kinë.
Adam Bry, bashkëthemelues i prodhuesit të madh amerikan të dronëve ‘Skydio’, e njoftoi një komision të kongresit në muajin qershor për humbjen në biznes për shkak të Kinës. “Qeveria kineze është përpjekur të kontrollojë industrinë e dronëve, duke dhënë fonde për prodhimet kombëtare dhe duke vënë në shënjestër konkurrentët në Shtetet e Bashkuara dhe Perëndim, duke e kthyer garën në favor të Kinës”.
Mbrojtja e pronësisë intelektuale
Një sfidë pritet të jetë përpjekja për të ringjallur një program të kohës së ish Presidentit Donald Trump, i përshkruar si një mënyrë për të ndaluar përpjekjet kineze për të vjedhur pronën intelektuale dhe për të spiunuar industritë.
Projektligji do ta obligonte Departamentin e Drejtësisë që të frenojë spiunimin nga Pekini mbi pronësinë intelektuale dhe institucionet akademike të Shteteve të Bashkuara.
Ky projektligj i epokës së zotit Trump, i quajtur “Iniciativa e Kinës”, përfundoi pa u miratuar në vitin 2022 pasi u ngritën shqetësime se ai kishte nxitur profilizimin racor dhe etnik.
“Kolegët tanë në Partinë Republikane u përpoqën të rikthejnë këtë program të dështuar sepse donin të dukeshin sikur po zgjidhnin problemet. Por, në realitet, ata vetëm po ngjallnin frikë dhe urrejtje”,thanë disa ligjvënës demokratë në një deklaratë në muajin mars, kur ata kundërshtuan një përpjekje tjetër për të rifilluar programin.
Kufizimi i shitjeve të fermave
Një projektligj tjetër, i cili thotë se do të mbrojë tokën bujqësore të Shteteve të Bashkuara nga kundërshtarët e huaj, ka ngritur shqetësime për diskriminim.
Projektligji do të detyronte raportimin e shitjeve të tokës që përfshijnë qytetarë nga Kina, Koreja e Veriut, Rusia dhe Irani.
“Siguria ushqimore është siguri kombëtare dhe për një kohë të gjatë, qeveria federale ka lejuar Partinë Komuniste Kineze të vërë në rrezik sigurinë tonë duke mbyllur sytë ndaj blerjeve në rritjer nga kinezët të tokës bujqësore amerikane”, tha ligjvënësi republikan Dan Newhouse, i cili e prezantoi projektligjin.
Qendra Kombëtare e Ligjit Bujqësor vlerëson se 24 shtete amerikane ndalojnë ose kufizojnë të huajt pa leje qëndrimi dhe bizneset ose qeveritë e huaja që të blejnë tokë bujqësore private. Debati për këtë çështje u ngrit pasi një miliarder kinez bleu më shumë se 130,000 hektarë pranë një baze të Forcave Ajrore në Teksas dhe një kompani tjetër kineze kërkoi të ndërtonte një fabrikë misri pranë një baze të Forcave Ajrore në Dakotën e Veriut.
Ziv: 7 tetori, një nga ditët më të rënda për Izraelin, që ng...
Drejtoresha britanike për Evropë e mirëpret vendimin e Qever...
A është kolagjeni vërtetë burimi i rinisë së përherëshme
“Qeveria më e ndershme që e ka pasur Republika e Kosovës” – ...
Ylli i Napolit që legjendat e Barcelonës, Xavi dhe Fabregas ...
Gjykata e Lartë refuzon të shqyrtojë ankesën e Martin Shkrel...